Nëntori, Marigona, Flamuri e Vlora janë vetëm disa nga personazhet, emrat e të cilëve lidhen me 28 Nëntorin, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Nëntor Fetiu është aktori i cili thotë se në Shqipëri emri i tij komentohet më së shumti.
Është një privilegj të mbash emrin Nëntor, thotë ai.
Marigona Redenica është 25 vjeçe, ishte babai i saj që dëshironte që vajza e tij të mbante emrin e vajzës që qëndisi flamurin.
E emri i saj çdo 28 Nëntor i sjell angazhime në lidhje me festën e flamurit.
Flamur Hyseni, profesor-doktor në Fakultetin Juridik, ndihet krenar për emrin që mban.
Emrin që ia vuri xhaxhai e përballi edhe me vështirësi e sfida, sidomos në kohën e okupimit serb.
E kjo është Vlora, e cila ka lidhje të ngushtë me Shqipërinë e, për më tepër, me gjuhën pasi që ushtron profesionin e lektores në Komunën e Prishtinës.
Ajo është me prejardhje nga një familje patriotike, ku çdoherë valon flamuri kuqezi.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, emri më i përdorur është emri Valon, të cilin e mbajnë 7mijë e 44 persona, pasuar me emrin Vlora, të cilin e mbajnë 5 mijë e 832 sish, derisa ka edhe shumë emra të tjerë.
Në Kosovë janë të regjistruar 4 mijë e 227 djem e burra me emrin Flamur dhe 43 vajza e gra me emrin Flamure.
3 mijë e 816 persona mbajnë emrin Marigona, Nëntor emrin e kanë gjithsej 73 djem e burra, derisa pesë gra mbajnë emrin Nëntore.