SOT

Valentina Keqmezi koleksionuese e artefakteve nga Dukagjini e Anamorava

Valentina Keqmezi është një historiane e pasionuar për mbledhjen dhe ekspozimin e artefakteve, duke bashkuar kultura nga rajone të ndryshme.

Si bijë e Isniqit të Deçanit dhe e martuar në qytetin e Kamenicës, ajo ka pasur gjithmonë një lidhje të thellë me trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Përmes pasionit të saj për koleksionimin e artefakteve, Valentina ka realizuar dy ekspozita të rëndësishme, të cilat kanë tërhequr një audiencë të gjerë, përfshirë vizitorë nga vende të ndryshme dhe jashtë kufijve të Kosovës.

Artefaktet që ajo ka mbledhur janë kryesisht të periudhave të kaluara, qindravjeçare, dhe përfaqësojnë kulturat e rajoneve të Dukagjinit dhe të Anamoravës.

“Në këtë ekspozitë kam artefakte nga dy rajonet, të Dukagjinit dhe të Anamoravës, sepse jam vajzë e Dukagjinit dhe nuse e Anamoravës”, thekson Keqmezi.

Ajo shpjegon historinë e këtyre artefakteve, duke përshkruar se si ato janë përdorur në kohë të ndryshme. 

“Kjo është arka, zakonisht e kanë përdorur nuset që kanë mbajtur ‘çejzin’, është e vjetër 150-vjeçare. Kjo është e familjes. Kjo është ‘magjja’ me sitë dhe gjëra të sajat. Kjo magje, në tre breza ruhet. Veçantia e saj është se gjithçka ka të bëjë vetëm me dru, pra punë dore. Këto janë të gjitha artefakte, të cilat tregojnë mënyrën e jetesës sonë, si p.sh. kjo është për përpunimin e qumështit, kosit, djathit, më herët që i kanë përdorur. Kemi edhe këtë koshere me bletë, e punuar me thupra dhe baltë”, deklaton Keqmezi. 

Valentina Keqmezi ndan historinë e një veshjeje të veçantë, që ka një vjetërsi mbi 150-vjeçare, dhe që për të është një nga eksponatet më të rëndësishme të ekspozitës së saj. 
Përveçse ka qenë një pjesë e rëndësishme e veshjes së përditshme, është përdorur gjithashtu si një lloj "çante" për bartjen e gjërave të nevojshme, si buka, uji dhe gjërave të tjera të rëndësishme për jetën e përditshme.

Këtë veshje, ajo e ka trashëguar nga familja e saj. 

“Kjo është ‘duqt’, këtë e kam si më të veçantën e ekspozitës. Është përdorur si lloj çante nga gjyshet tona dhe është ruajtur deri më tash. Ndër artefaktet që më së shumti kanë vlerë është kjo”, theskon Keqmezi. 

Këto artefakte, të vjetra mbi 100-vjeçare, si sofra tradicionale me enë prej druri, oda e burrave, veshje tradicionale nga ana e Dukagjinit dhe nga ajo e Anamoravës, vegla për punë dore e vegla për punët në bujqësi, jo vetëm që shtojnë vlerën e ekspozitës, por gjithashtu ofrojnë një pasqyrë të pasur të traditave dhe jetës së dikurshme, duke i dhënë mundësinë çdo vizitori të kuptojë më mirë pasurinë kulturore dhe historinë e këtyre dy rajoneve.