“Blerina Krasniqi e cila është me aftësi të kufizuara ka botuar një libër në të cilin ajo shpreh të gjitha fidat e paragjykimet që i janë bërë për shkak të sëmundjes së saj
“Jeta është një mrekulli, jeta të rrëzon, por s’të dëshpëron...”
Këto janë disa nga vargjet e shkruar në librin “Sy me sy me botën”.
Përmes këtij libri, 19-vjeçarja me aftësi të kufizuara Blerina Krasniqi ka arritur të shpreh emocionet e veta që i ka mbajtur për vite me radhë mbyllur në vetvete.
Të gjitha këto vargje i shkroi në telefon, pa e kuptuar askush nga familjarët e saj.
“Kam filluar në maj të 2024-tës, vetëm e kam provuar njëherë dhe kur e kam parë që po më pëlqen dhe e kam vazhduar. Kam shkruar deri në nëntor. Në nëntor iu kam treguar edhe familjes dhe i kam pyetur nëse mund ta botojë dhe e kam ditur se më përkrahin se gjithmonë më kanë përkrahur. Kam shkruar në telefon, më shumë kam shkruar natën në dhomë ose kur më është kujtuar ndonjë moment i mirë ose i keq kam shkruar edhe ditën kam shkruar por nuk më kanë shikuar se çfarë po bëj se e dinë që unë gabime nuk bëj”, thotë Krasniqi.
Kjo i ka ndihmuar Blerinës t’i shprehë emocionet që më parë e ka pasur të vështirë t’ua shprehë të tjerëve.
“Ndihem më lirshëm, i shpreh të gjitha emocionet që më herët e kam pasur shumë më të vështirë me fol për veten dhe t’i tregojë dikujt për veten time por jam ndier më lirshëm të shkruaj dhe i kam larguar të gjitha emocionet”, deklaron Krasniqi.
Në këtë libër ajo flet për veten e saj, sfidat e ngacmimet që i janë bërë për shkak se është me aftësi të kufizuara.
“Në libër i kam shprehur përjetimet, sfidat. Jo vetëm për veten por besoj të gjithë personat me aftësi të kufizuara ndihen kështu si unë për bullizim”, tregon Krasniqi.
Por përveç talentit që ka për poezi, ajo ka edhe ëndrra të tjera.
“Më pëlqen shumë aktrimi edhe shpresoj që kam për t’u bërë aktore. Edhe më pëlqen të jem psikologe. E dua sepse mendoj që mundem të iu ndihmojë edhe tjerëve sikurse mua më ka ndihmuar shumë psikologia. Kur kam qenë te psikologia më ka ndihmuar të i shpreh gjërat e mia më shumë dhe ajo më ka shty të shkruaj librin”, thekson Krasniqi.
Ajo vuan nga një sëmundje e rrallë që karakterizohet nga dobësia progresive e muskujve, të cilët bëhen më të dobët me kalimin e kohës.
Përkundër kontrolleve të shpeshta e të kushtueshme, ajo thotë se nuk ka pasur asnjë ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë.
Blerina synon të botojë edhe librin e dytë. Disa nga poezitë që do të jenë në këtë libër veçse i ka përfunduar dhe shpreson që do ta botojë deri në vitin e ardhshëm.