Dolloma është një veshje tradicionale shumë e rëndësishme për kulturën shqiptare, veçanërisht në disa rajone, ku ruhet dhe vlerësohet si simbol i identitetit dhe trashëgimisë kulturore. Rajoni i Prizrenit është një nga ato zona ku kjo traditë ruhet me fanatizëm dhe vazhdon të përjetohet nga breza të ndryshëm.
Madje shumë vajza e gra në këtë qytet po e mësojnë edhe punimin e saj, plotësisht me dorë, në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore për të gjithë”.
Teuta Halili – Kastrati punon si rrobaqepëse. Punën e saj po e pasuron duke mësuar edhe punimin e dollomës.
“Gjithmonë e kam dashur punën e dorës, prandaj qysh herët jam marrë me qëndisje. Fillimisht për kukulla, pastaj nisa qepjen edhe për veshje të ndryshme. Kur dëgjova për këtë punëtori u interesova menjëherë dhe desha që të avancoj më shumë duke e mësuar kështu edhe punimin e dollomës, jo vetëm skicimin e saj, por edhe tamam punën, qëndisjen e saj”, thekson ajo.
Teuta e sheh Prizrenin si qytetin që i ruan më së shumti traditat, dhe kjo është e kuptueshme, pasi ky qytet është një qendër e rëndësishme e kulturës dhe historisë shqiptare, ku traditat vazhdojnë të mbahen gjallë.
Ajo beson se punëtoria që po zhvillohet, duke ofruar mundësi për mësimin e punimit të dollomës, do t’iu mundësojë shumë zonjave të kenë një burim të ardhurash nga puna e dorës.
“Mendoj që jemi shtysë për gjeneratat e reja që të ruhen sa më shumë traditat, sepse kështu identifikohemi edhe më shumë si populli më i vjetër në Ballkan. Traditë e kemi edhe punimin e dollomës, pasi që është veshja kryesore e nuses, sidomos në rajonin e Prizrenit, dhe mendoj se pikërisht ky qytet i ruan më së shumti traditat, ndoshta për shkak se kultura e tradita rrënjët i kanë më thellë këtu. E kjo punëtori do të na ndihmojë shumë edhe për sigurimin e një vendi pune për veten duke i shitur punëdoret tona”, tregon Halili-Kastrati.
Edhe kjo veshje ka nisur të industrializohet, thotë Teuta, prandaj, sipas saj, përmes kësaj punëtorie do t’i kthehet vlera punës së dorës.
“Duke e parë trendin botëror ne kemi pasur mundësi që ta modernizojmë traditën, por ne duam që të mbesim brenda tradicionales, sepse kohën e fundit jemi dëshmitarë që gjithçka po shkon drejt industrializimin, prandaj mendojmë që ta ruajmë punën e dorës. Shumë modele të dollomës veçse jemi duke i punuar të tilla, por gjithnjë duke e ruajt origjinalitetin e saj”, thekson Halili-Kastrati.
Projekti "Trashëgimia kulturore për të gjithë" po zhvillohet për të tretin vit me radhë nga organizata "Ec ma ndryshe", me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Edin Gështenja, nga kjo organizatë, shprehet se një nga qëllimet kryesore të këtij projekti është ruajtja e trashëgimisë kulturore, duke i dhënë mundësi grave të Prizrenit që të angazhohen në punëtori artizanale, si puna e dollomës, dhe kështu të sigurojnë një burim të ardhurash përmes vetëpunësimit.
“Siç dihet organizata jonë ‘Ec ma ndryshe’ prej vitesh është themeluar që ta promovojë dhe ta mbrojë trashëgiminë kulturore. Projektin e fundit në të cilin na ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka një laramani aktivitetesh, por kjo për mësimin e punimit të dollomes është pritur jashtëzakonisht mirë nga zonjat e qytetit të Prizrenit. Si projekt është menduar i tillë që vajzat dhe gratë të kenë mundësi të vetëpunësohen pasi që të mësojnë punimin e kësaj veshjeje, por mbi të gjitha qëllimi ynë është që të mos i lëmë traditat e vendit të shuhen”, theskon ai.
“Ec ma ndryshe” ka krijuar edhe platformë online, përmes së cilës vajzat dhe gratë mund t’i shesin dollomat e punuara plotësisht me dorë.