SOT

Vajza 13-vjeçare që ktheu jetën në libër

Po lexon një tregim të preferuar nga libri që vetë e ka shkruar.  Kjo është 13-vjeçarja nga Prishtina, Fiona Berisha. 

Në librin e saj “Çdo gjë fillon me shaka” ajo përshkruan sfidat e vogla që ka hasur gjatë jetës, sfida që i konsideron të vogla për moshën e saj, por që për të janë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të saj.

“Unë jam Fiona Berisha nga Prishtina. Jam 13-vjeçare dhe jam nxënëse e shkëlqyeshme, e që marr pjesë në klube të ndryshme shkollore. Shkrimin e kam dashur gjithmonë, por nuk është se e kam parë veten si autore ose si tash që jam shkrimtare, por me kalimin e kohës nisa ta shoh shkrimin pjesë të ditëve të mia. “Çdo gjë filloi me shaka” është libri i parë që e kam botuar dhe brenda tij ka copëza të mia të jetës”, tha Berisha. 

Në këtë libër autobiografik Fiona ndan ditët dhe përjetimet e saj, duke përfshirë edhe problemet shëndetësore që ka pasur. Përmes shkrimit thotë se i shpreh lirshëm edhe sekretet e veta. 

“Libri im është një autobiografi, sepse aty flas për personat nga të cilët rrethohem, flas edhe për testet në shkollë e gjithashtu edhe për një pjesë më të ndjeshme timen, që është problemi me shëndetin. Duke i shprehur në letër këto detaje të jetës sime e kam kuptuar që kam prirje dhe talent në të shkruar dhe veç e kam zhvilluar edhe më shumë”, tha ajo.

Një nga tregimet më të dashura të saj është një rrëfim i shkurtër që ua dedikon vajzave.

“Kam shumë tregime që i kam për zemër, por njërin prej tyre e veçoj më së shumti. Është tregimi që e kam titulluar ‘Vajzat’, sepse ua kam dedikuar atyre. Duhet ta dimë që ne duhet të jemi të mira si vajza, por jo deri në atë masë sa të na keqpërdoret mirësia. Andaj për ju po nis ta lexoj...”

Dita e promovimit të librit të saj ishte një moment i paharrueshëm për Fionën.

“Kur e kam promovuar librin kam pasur emocione të përziera, por e cilësoj si ditën më të veçantë për mua dhe prindërit e mi. Kam qenë bashkë me shokët dhe shoqet e klasës dhe kam prezantuar para tyre. Por ajo që dua ta them për fund është thënia, të cilën e kam në libër dhe çdo hap e bëj sipas saj. Me këtë thënie dua t’u drejtohem edhe bashkëmoshatarëve të mi: ‘Provoni gjithçka, merrni pjesë kudo, takoni këdo. Ky është sekreti i jetës”, tha Berisha. 

Fiona Berisha nuk do të ndalet me një libër vetëm. Librin e saj të dytë ajo ka nisur ta shkruajë dhe pret ta botojë së shpejti.