Libri për fëmijë "Uta në Sharr" i autorës Tuba Safçiu u promovua në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ky libër rrëfen aventurën e alpinistes Uta Ibrahimi në Malet e Sharrit, duke synuar të frymëzojë fëmijët për të njohur dhe mbrojtur natyrën. Në aktivitet morën pjesë fëmijë të pranishëm, disa prej të cilëve kishin mundësinë të takoheshin me Utën, një alpiniste që ka ngjitur 13 maja të larta në botë.
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u promovua libri për fëmijë "Uta në Sharr", një botim i autores Tuba Safçiu, që sjell një kombinim të aventurës, natyrës dhe edukatës mjedisore.
Përmes rrugëtimit të alpinistes Uta Ibrahimi në Malet e Sharrit, libri synon të frymëzojë fëmijët të njohin dhe mbrojnë pasuritë natyrore.
“Shumica prej juve besoj e keni librin e parë ‘Uta në Mal’, besoj gjithashtu që është libri i preferuar për shumë prej juve. Ky libër na ka tregu sesa e rëndësishme është që të vazhdojmë me projekte të tillë, sikurse janë librat për fëmijë, me këtë rast ‘Uta në Sharr’. Krejt e dinë sesa e dua ‘Sharrin’ dhe nuk kam pse mos me sjell një libër të tillë te ju. Libri përveç që është shumë i bukur me ilustrime nga Qëndrimi dhe një shkrim nga Tuba, Libri tregon rrugëtimin tim dhe qenit tim ‘Deltarit’, nëpër majat e larta, grykave të bukurave, lumenjtë e liqenet e maleve të ‘Sharrit’”, ka thënë alpinistja Uta Ibrahimi.
Tuba Safçiu, autore e librit "Uta në Sharr", tregon se ka gërshetuar dashurinë dhe eksplorimin e natyrës të alpinistes Uta në Malet e Sharrit.
“Ka qenë gjithmonë ëndrra ime qysh kur kam qenë fëmijë me qenë autore e librave. Po shpresoj që ky libër do t’i inspiroj fëmijët të bëhen jo vetëm alpinist por edhe autor. Ky libër nuk është vetëm një rrëfim, por ftesë për ta zbuluar ‘Parkun Nacional’, në malet e Sharrit", ka thënë ajo.
Rrëfimi përcillet me ilustrime, përmes së cilave lexuesit mund të njihen me bukuritë e maleve të Sharrit.
"Shpresoj që ky libër ka me kontribuuar për të gjithë fëmijët por edhe prindërit. Me kaluar kohën në natyrë dhe me mbrojt natyrën. Shumë e rëndësishme ka qenë për mua besimi që ma kanë dhënë Uta dhe Tuba. Më kanë lejuar imagjinatën time në ilustrime të librit. Kontributi për fëmijët është gjëja më e bukur që mundemi ta bëjmë", ka theksuar ilustruesi i librit, Qëndrim Hoxhaj.
Botimi i librit është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me qëllim të promovimit të letërsisë për fëmijë dhe ndërgjegjësimit për mjedisin.
“Ky botim mbështetet nga Ministria e kulturës, për çka jam shumë krenar. Unë sot kam ardhur sepse është një aktivitet për fëmijët dhe kam ardhur me vajzën time. Kështu dhe më ka ftuar Uta. Besoj që kjo është pjesa më e rëndësishme e misionit të përbashkët edhe neve si ministri, që përmes investimeve dhe projekteve tona duhet t’i prekim më së shumti fëmijët dhe të rinjtë e kësaj shoqërie. Kur e shohim Utën si model të projektuar edhe në botime për fëmijë, kjo na bën edhe më shumë krenar. përgëzime për këtë aktivitet dhe ju lus komunitetit të bjeshkatarëve sa më shumë aktivitete për të rinjtë e sidomos për fëmijët”, ka deklaruar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Në një kohë kur lidhja e fëmijëve me natyrën është gjithnjë e më e kufizuar për shkak të teknologjisë, libra si “Uta në Sharr” luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin dhe ndërgjegjësimin e tyre.
E fëmijët e pranishëm patën rastin edhe të takoheshin me alpinisten, e cila deri më tash është ngjitur në 13 majat më të larta në botë.
“Unë i kam 8 vjeç dhe lexoj shumë libra. -A e njeh kush është Uta?- Jo nuk e kam njohur kur deri kur është ngjitur në malin Everest. Aty kam filluar ta njoh”, ka thënë Amel Dragusha - pjesëmarrës.
“Unë jam e lumtur që kam ardhur këtu dhe po e takoj Utën. Unë e njoh Utën që është alpiniste dhe ka libra shumë të veçanta edhe për fëmijët me autizëm që të jenë më aktiv dhe të lumtur", është shprehur pjesëmarrësja Lisa Temaj.
“Uta në Sharr” nuk është libri i parë që flet për alpinisten Uta Ibrahimi.
Më herët lexuesit e vegjël kanë pasur mundësinë të njihnin historinë e saj përmes librit “Uta e maleve”, i shkruar nga Tefta Kelmendi dhe ilustruar nga Katerina Nikolovska.