SOT

Ushtrime më efikase në fitnes apo ecje në natyrë

Shemsedin Vehapi, është profesor i edukatës fizike dhe sportit tash e disa vjet. 

Është edhe trajnues për certifikimin e trajnerëve të fitensit dhe ligjërues për temat e përgatitjes fizike. 

E kush më mirë do ta shpjegonte rëndësinë e ecjes në natyrë dhe ushtrimeve të ndryshme për mirëqenien e çdo grupmoshe. 

Përveç humbjes së kilogramëve të tepërt, thotë se çdo ditë ecje nga 90 minuta në natyrë ndihmon edhe në shëndetin mendor, duke e bërë njeriun të ndihet më i relaksuar. 

“Ne mund të ecim edhe në pjesë urbane ku ka shumë vetura mirëpo ecja në natyrë pjesën e Gërmisë është shumëfish më e shëndetshme sesa ecja në qytet. Po flas për efektin që mundet me pas edhe në shpenzim të kalorive edhe për mirëmbajtjen e funksionit të muskujve dhe aparatit funksional të brendshëm, por edhe në aspektin emocional. Nëse dalim në mëngjes herët dhe e nisim ditën me një aktivitet fizik, themi me një ecje 40, 60 apo 90 minuta se edhe ecja kategorizohet në disa intensitete. Mund të jetë ecje e lehtë, ecje me ngarkesë mesatare dhe më intensive, më e shpejtë. Ecja me shpejtësi deri në 3-4 kilometra është ecje e ngadalshme, shpenzimi i kalorive është më i vogël, i shpenzojnë 4 kalori brenda minutës. Ecja me intensitet mesatar është ecje deri në 5 kilometra, e rrit për dy kalori shpenzimin. Ndërsa ecja intensive që shkon deri në 7 kilometra i dyfishon shpenzimet e kalorive krahasuar me ecjet e tjera. Nëse duam të shpenzojmë më shumë kalori duhet të rrisim intensitetin me kalo në vrapim. Sa më i shpejtë është vrapimi e shumëfishon shpenzimin e kalorive”, thotë Vehapi.

Pos ecjes, vrapimit, biçikletës e notit, sipas profesorit të kulturës fizike preferohen 2 deri 3 herë në javë ushtrime edhe në fitnes.

“Kur flasim për efektin e aktivitetit fizik apo në këtë rast jem në fitnes, ka plot hulumtime të cilat deri më tash e kanë vërtetuar shkencërisht se efektet janë të shumëfishta edhe janë pozitive. Ndryshimi në ndërtimin trupor apo morfologjinë trupore, që janë të dukshme se nëse merren 6 muaj me fitnes ndryshime e trupit janë të dukshme. Aspekti tjetër që fitnesi ka ndikim pozitiv është shëndetësor. Marrja me aktivitete fizike ndryshon shumëçka në gjendjen tonë shëndetësore. Sikurse sistemit kardiovaskular, sistemi i frymëmarrjes, sistemin endokrin, ndikon edhe në inteligjencë”, tregon ai. 

Vehapi thotë se mosha adekuate për të filluar këto lloj ushtrimesh është 16-vjeçare. 

“Përfshirja e të rinjve në fitnes ideale është mosha 16-vjeçare, kur munden me mëndu me fillu fitnesin e rregullt për qëllimet e tyre. Çka duhet me parasysh secili është zero i informuar për atë aktivitet fizik. Gjithmonë duhet me pas parasysh mos me filluar i vetëm, zgjidhja më e mirë është trajneri personal së paku tre muajt e parë të  stërvitjes. Nëse flasim për një fillestar stërvitjet duhet të jenë deri në 40 minuta. Mesatarja për të pasur fitnesi efekt duhet ushtrime 60 minuta”, thekson ai.

Sipas profesorit të sportit çdo aktivitet qoftë ne mëngjes apo mbrëmje luan rol të rëndësishëm për shëndetin në përgjithësi. 

“Hulumtimet që e përcaktojnë se kur është efekti më i madh nëse stërvitemi në mëngjes ose në mbrëmje janë të ndryshme me rezultate ndryshe. Nëse ta mundëson kohë dhe agjenda është më mirë ushtrimet me i pas pasdite. E rëndësishme është që me pas një 60 minutash aktivitet fizik. Nëse i referohemi fitnesit të pastër i cili ka të bëj me mirëmbajtjen e forcës, atëherë duhet dy deri në tri herë në javë me shkuar fitnes. Pjesa tjetër e javës duhet të jetë e ngarkuar me aktivitete të tipit kardiorespirator, ne u themi ushtrime ‘airobik’”, thotë Vehapi. 

Shemsedin Vehapi deri tash ka marrë pjesë në 17 maratona, mbi 50 gjysmëmaratona dhe vrapime malore, në vend dhe jo vetëm. Ai po ashtu është ngjitur në male të shumta të Kosovës.