Kalaja e Kriporja e Ulqinit dhe Ullishta e Valdanosit janë vetëm disa nga vendet që duhet patjetër të vizitohen gjatë qëndrimit në Ulqin.
E kur jemi në prag të sezonit veror, natyrisht që Ulqini është në mendjen e shumë turistëve.
Ujërat e pasura, plazhet e bukura, jeta e natës dhe ushqimi i detit i shijshëm janë vetëm disa nga faktorët me të cilët Mali i Zi përmes Ulqinit tërheq turistë nga e gjithë bota për t’i kaluar pushimet.
Turistët do të kenë arsye më shumë për të vizituar bregdetin, sepse muaji maj është shpallur edhe si muaj i aktiviteteve kulturore.
Përveç koncerteve dhe netëve verore me muzikë të mirë, ku do të performojnë edhe shumë këngëtarë si vendorë e po ashtu edhe yje ndërkombëtare, do të ketë edhe festa të tjera.
Zana Sarvan nga Shoqata e Turizmit thotë se përveç majit gjatë gjithë verës do të ketë organizime të ndryshme në mbrëmje, si dhe promovim të agrumeve që kultivohen në tokat e vjetra të Ulqinit.
Pavarësisht që këtë vit kosovarët kanë liberalizim të vizave dhe mund t’i kalojnë pushimet në plazhet e Evropës.
Sarvan pret që kosovarët të mos i harrojnë Ulqinin dhe mikpritjen që iu bëhet nga vendasit.
Përpos kësaj, Ulqini është njëri ndër qytetet më të vjetra në bregdetin e Adriatikut.
Treva e Ulqinit dëshmohet si vendbanim qe nga periudha parahistorike.
Padyshim që edhe mikpritja nuk do të mungojë për asnjë çast për të gjithë ata që këtë verë kanë vendosur që bregdeti i Ulqinit të jetë një eksperiencë e paharruar verore.
Ulqini përpos detit ka edhe liqenin e Shasit dhe lumin Buna, të pasur me peshq të shumëllojshëm, gjë që tërheq edhe shumë peshkatarë.
E sezoni i gjatë do të përfundojë me shportën e vjeshtës, e cila organizohet në shtator.