Një periudhë të gjatë e kaloi në mërgim, e në kohën e pensionimit Jahja Topojani u rikthye në vendlindjen e tij në Kaçanik.
E kushdo që do ta bëjë një shëtitje rreth e përqark këtij qyteti, baca Jahë bashkë me të afërmin e tij Armendin kanë rikthyer mënyrën e udhëtimit të dikurshëm, atë me kerr e kali.
Baca Jahë thotë se kaçanikasit janë bërë nostalgjikë për kohërat e dikurshme e ky lloj udhëtimi po u pëlqen, të cilët veçse kanë filluar ta shfrytëzojnë për ngjarje të ndryshme në jetën e tyre.
Ai thotë se kjo mënyrë e udhëtimit po përdoret për festa të ndryshme familjare, përfshirë edhe ajo për marrjen e nuses siç kishin bërë dikur.
Kuajt i kanë trashëguar nga të parët, e duke i pasur ende në shtëpi kjo ishte një ndër shtysat për të rikthyer udhëtimin me kerr e kali.
Sipas tij, fëmijët janë entuziastë për të provuar një udhëtim të këtillë, por edhe prindërit duan që pasardhësit e tyre ta përjetojnë një periudhë jetese që vetë ata dikur kishin kaluar.
Baca Jahë thotë se mërgimtarët janë në mallëngjim për vendlindjen e tyre, e ata më së shumti i pëlqejnë edhe gjërat tradicionale, përfshirë edhe këtë udhëtim.
Gjatë tërë këtij sezoni kushdo që do ta provojë udhëtimin me kali, atë lehtë mund ta gjejnë në qendër të qytetit e ta shijojnë rrugën nëpër Kaçanik ngjashëm siç kishte qenë dikur më parë.