Të gjithë udhëtarët që vijnë nga qytetet e ndryshme të vendit, brenda sporteleve të Stacionit të Autobusëve mund t’i konvertojnë biletat e tyre, që udhëtimin ta vazhdojnë drejt qendrës së kryeqytetit.
Ky është vendimi i fundit që u mor nga kryeqyteti Prishtina, ku të gjithë qytetarët e Kosovës që vijnë në Stacionin e Autobusëve do të lëvizin falas në çdo linjë të trafikut urban brenda Prishtinës.
Arbias Komonit i duket lehtësim i madh shfrytëzimi i biletës tërëditore falas në kryeqytet, me pagesën që bën për udhëtimin Prishtinë-Gjakovë dhe anasjelltas.
“Bileta Gjakovë-Prishtinë dhe anasjelltas është shumë e shtrenjtë duke marrë parasysh pagat dhe nivelin e tyre në Kosovë. Më pas edhe me veturë është problem çështja e parkingut. Unë vij rrallë pikërisht për këtë arsye sepse kryeqyteti është i ngulfatur, e lajmin për bileta falas e kam parë tek postimi i kryetarit të kryeqytetit. Është një marrëveshje shumë e mirë. Procedurën dhe informatat i di, duhet marrë kuponin fiskal patjetër më pas në sportelet e stacionit duhet konvertuar dhe atë biletë e shfrytëzoj tërë ditën. Unë ende nuk e kam shfrytëzuar këtë mundësi sepse vetëm sa është marrë ky vendim, por herën tjetër kur të vij do ta bëj”, thotë ai.
Sipas ekspertit për digjitalizim dhe telekomunikacion në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, ky vendim u mor si rrjedhojë e ngarkesës së madhe të trafikut, e po ashtu edhe ndalesat e parregullta që bëjnë autobusët ndërurbanë në hyrje të kryeqytetit. Sipas tij, me këto masa do të reduktohet dukshëm qarkullimi i veturave dhe qytetarët do të kenë siguri më të madhe gjatë lëvizjes.
“Autobusët ndërurbanë që vijnë nga qytetet e Kosovës dhe ndalojnë brenda stacionit, udhëtarët e këtyre autobusëve përfitojnë biletën tërë ditore të Trafikut Urban. Qëllimi kryesor i kësaj ka qenë me i ndalë ato ndalesat e parregullta të autobusëve, me i heq autobusët ndërurbanë nga qendra e kryeqytetit sepse shpesh kalojnë në zona urbane ku krijojnë trafik të parregullt. Këto janë disa nga arsyet, qytetarët kanë arsye të vijnë në Prishtinë, të përdorin më pak vetura dhe të ketë më pak trafik të ngjeshur”, thekson ai.
Aktualisht autobusi i linjës 7 kalon pranë stacionit si linja më e afërt për udhëtarët për ta shfrytëzuar drejt qendrës, por thotë se së shpejti edhe linjat e tjera do të krijohen për të hyrë brenda hapësirës së stacionit.
“Në hyrje të stacionit ndalon Autobusi 7 që lidh qendrën me Emshirin, afër po ashtu është edhe ndalimi në Lakrishte me autobus urban ku ndalojnë 1-shi dhe 6-shi, shumë shpejtë 1-shi dhe 2-shi do të kenë mundësi të vijnë brenda stacionit të autobusit dhe më pas të kthehet kah qendra dhe qytetarët ta shfrytëzojnë më mirë. Qytetarët gjithsesi duhet të ketë kupon fiskal sepse një nga qëllimet e këtij vendimi është edhe luftimi i evazionit fiskal dhe të kërkojnë të zbresin brenda stacionit”, deklaron Braha.
E zëdhënësja e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Shqipe Durmishi, thotë se interesimi i qytetarëve për ta konvertuar biletën është vërejtur që nga dita e parë.
“Interesimi i qytetarëve është shumë i madh siç duket informatën e kanë marr të gjithë dhe e kanë mirëpritur. Procedura është e thjeshtë secili qytetarët duhet ta kenë biletën dhe kuponin fiskal me atë duhet lajmëruar në sportel ku i shkruhet data dhe ajo biletë i vlen tërë ditën. Ky projekt veç sa ka filluar por ka interesim ta shfrytëzojnë biletën pa pagesë. Qëllimi kryesor është që qytetarët të jenë të sigurt mos të kenë ndalesa të paautorizuara dhe qytetarët duhet të vetëdijesohen që të hyjnë brenda stacionit dhe të përfitojnë nga bileta”, deklaron Durmishi.
Si një nga problemet e vazhdueshme të kryeqytetit ka qenë trafiku i ngarkuar, e me udhëtimin falas autoritetet shpresojnë që kjo nismë të jetë zgjidhje.