Artisti Berat Hasani për turistët e huaj po i sjell monumentet më ikonike të vendit të vizualizuara në magnete dhe në kartolina. Tani eksperiencën e përjetuar në Kosovë ata do ta kujtojnë gjatë përmes këtyre dy produkteve.
Kartolinat dikur ishin i vetmi mjet që përcillej mesazhi nga largësia, por gjithsesi mbetet forma më unike e komunikimit, sidomos nëse ajo bëhet përmes kartolinave të personalizuara të cilat të sjellin kujtimin nga ndonjë qytet.
Në mënyrë që të ruhen kujtimet nga secili qytet dhe mesazhi të bartet te njëri-tjetri, tani artisti Berat Hasani monumentet më ikonike të Kosovës po i sjell përmes ilustrimeve në kartolina dhe magnete.
Turistët e huaj kurdo që vizitojnë Prishtinën apo qytetet e tjera të vendit, tani do të kenë mundësi të blejnë nga një magnet me ilustrimet e monumenteve më të njohura prej secilit qytet, që sipas artistit këto lloj suveniresh i mungonin vendit.
"Në kohën e pandemisë për mua ka qenë një nga periudhat që më ka ndihmuar ta kaloj kohën më produktive, e po ashtu jam zhvilluar si ilustrues. Gjatë asaj kohe kam eksperimentuar shumë, kam mbërri të kijoj disa imazhe që më ofronin ndjenjë të mirë që do të mund të kishin qenë si produkte si suvenire. Në Kosovë ka filluar të rritet numri i turistëve fatmirësisht dhe kam vërejtur që është një mungesë e produkteve të mirëfillta që flasin për vendin që ti e viziton, kam vizituar shitore që shiten këso suvenire, por ka mangësi dhe madje ato pak që janë nuk kanë kualitet të mirë”, tha Hasani.
Kryeqyteti ka shumë objekte përmes të cilave identifikohet lehtë, porse artisti ka përzgjedhur 4 prej tyre.
"Zakonisht pritjet i kam modeste, porse në këtë rast me postimet që i kam bërë në rrjete sociale dhe reagimi i njerëzve ka qenë shumë i mirë dhe kam qenë i befasuar, saqë plot prej tyre kërkuan që t’i kenë për vete, e ti blejnë si produkte ose t’ia dërgojnë dikujt si dhuratë. Për momentin magnetet dhe kartolinat janë në libraritë ‘Dukagjini’ dhe ‘Buzuku’, por shumë shpejt do të ketë edhe pika të tjera të shitjes. Prej Prishtinës janë 4 objekte të kohërave të ndryshme, është Sahat-Kulla si më e vjetra për nga ndërtimi, më pas Muzeu Etnologjik, është Pallati i Rinisë dhe monumenti i Trekëndëshit", tha Hasani.
Përveç Prishtinës, artisti ka shndërruar në kartolinë e magnet edhe qytetin e Mitrovicës, Gjakovës, Prizrenit, Deçanit, e të tjerat janë në përpunim e sipër.
“Qyteti i dytë i ilustruar është Mitrovica, sepse unë vij nga ai vend, i kam përzgjedhur 4 monumente, më pas është Gjakova, sepse ka shumë çka me paraqit nga ai vend, dhe besoj do ta zgjeroj edhe më tepër, është Prizreni si vend historik, Peja, gjithashtu jam duke punuar për këtë qytet, por së shpejti do të jenë në shitje, e po ashtu edhe qytetet e tjera”, deklaroi Hasani.
Të gjitha ilustrimet janë bardhezi, e vetëm Dielli është ai që jep ngjyrë të ndryshme për secilin qytet.
"Është inspirim që unë kam gjetur se si me i sjellë këto ilustrime, me qenë më i veçantë, më i kapshëm dhe i këndshëm për artdashësit. Unë vij nga shkolla e artit, e unë si grafist di t’i sjell gjërat pa ngjyra e vonë punojmë me ngjyra, artin mundohemi vetëm me dy ngjyra ta sjellim. Më kanë pyetur njerëzit edhe për rrethin që është në secilin qytet, rrethi e simbolizon diellin, por edhe ngjyrat që karakterizohet secili qytet, Prishtina është me ngjyrë të kaltër, Mitrovica me të gjelbër", tha Hasani.
Të njëjtat ilustrime artisti ka filluar t’i përdorë edhe për produkte të tjera.
“Çmimi i kartolinave është 2 euro, i magneteve është 3 euro, këto produkte si target kryesor kanë turistët e huaj që vizojnë vendin, por edhe të tjerët po i pëlqejnë. Ka edhe vizitorë që vijnë nga Prizreni dhe për herë të parë janë në kryeqytet dhe duan të marrin një kujtim nga ky qytet, të njëjtat ilustrime së shpejti do të vijnë edhe në produkte të tjera si çantë, por edhe në fanella", tha Hasani.
Aktualisht shitja e këtyre produkteve po bëhet vetëm në dy librari të kryeqytetit, por së shpejti shpërndarja e tyre do të bëhet në pika dhe në qytetet e tjera të vendit.