SOT

Tualeti i vetëm publik në Prishtinë që ishte pa pagesë bëhet 50 centë

Kryeqyteti njihet si vendi që ka pak tualete publike. Edhe ato që janë, janë me pagesë. Tani edhe tualeti i vetëm publik që deri vonë ishte pa pagesë është bërë me pagesë. Për shfrytëzimin e tij qytetarët duhet të paguajnë 50 centë

Rreth dy vjet pasi u funksionalizua “Parkingu nëntokësor”, tualeti i vetëm publik, i cili ishte pa pagesë në Prishtinë, tani është bërë me pagesë.

Drejtori i “Parking Center”, Korab Fazliu, e kishte paralajmëruar këtë masë më parë, duke argumentuar se tualeti po pësonte dëmtime të mëdha.

Sipas Fazliut, tualeti keqpërdorej nga qytetarët.

“Ashtu siç e kam paralajmëruar edhe në fillim, gjithmonë kam potencuar që të mos krijohen dëme në të mirë të përbashkët. Fjalët e mia deri diku janë respektuar nga klientët tanë, por ka pasur edhe klientë të tjerë që na kanë vizituar vetëm për të shkaktuar dëme. Siç kam potencuar edhe më parë,  mirëmbajtja ka kosto, ka stafin, materialet shpenzuese e po ashtu ka kosto edhe të dëmtimeve që bëhen nga persona të pandërgjegjshëm. Kjo na ka obliguar që ta kthejmë me pagesë tualetin publik. Çmimi është simbolik, 0.50 euro për vizitë. Ende vazhdojmë që moshat e shtyra, fëmijët apo personat që s’kanë mundësi, të lirohen nga pagesa. Mirëpo e gjithë esenca pse e kemi kthyer me pagesë është se klientët që kanë nevojë t’i vizitojnë hapësirat tona të jetë ashtu siç duhet, të jetë e pastër e me të gjitha pajisjet e nevojshme. Ndërsa ata që kanë pasur si pikësynim dëmtimin e këtyre hapësirave t’i mënjanojmë dhe këtë kemi arritur ta bëjmë”, thekson Fazliu.

Sipas tij, kthimi në pagesë nuk ka si qëllim përfitimin, por thjesht shmangien e dëmtimit të mëtejshëm të hapësirave.

“Dëmtimet kanë qenë te ndërprerësit e kapakëve të guacës. Përveçse janë marrë kapakët, është marrë edhe sistemi i brendshëm i ujit dhe kjo ka pasur kosto më shumë se 800 euro vetëm në kosto të produkte. Janë thyer shumë shpesh lavamanët, pasqyrat. Kthimi me pagesë nuk ka të bëjë për aspekte të përfitimit, por thjesht ka qenë t’u shmangemi personave që i kanë shfrytëzuar këto tualete vetëm për dëmtime”, deklaron Fazliu.

Tani, sipas tij, situata është përmirësuar qëkur tualeti është bërë me pagesë, për shkak se ka rënë fluksi i atyre që e përdorin atë.

“Që nga muaji dhjetor e kemi pasur vetëm një problem me një grup të rinjve që i kanë shkruar muret me grafitë. Edhe pse i kemi të dhënat, i kemi kamerat se kush i ka bërë ato, por në raste se kur mund të evitojmë pa ndonjë kosto këto dëmtime i kthejmë vetë në gjendje të mëparshme. Mirëpo për çdo rast tjetër raportohen në organet e sigurisë. Çdo dëm ka kosto dhe atë duhet ta paguajë ai që e ka bërë”, thekson Fazliu.

Ai thotë se këtë gjë e kanë mirëpritur qytetarët.

“Që nga dita e kthimit me pagesë kemi marrë vetëm komente pozitive. Ka pasur më shumë ngarkesë dhe shumë shpesh ka ndodhur që brenda 5 minutave të ndoten më shumë. Para se të kthehen pa pagesë ka qenë e krijuar një mendësi që të hyjnë në këto tualete vetëm për t’i dëmtuar. Jo që është bërë mirëmbajtja më pak, por fluksi tani nuk është i njëjtë si më parë”, thotë Fazliu.

Megjithatë, qytetarët e Prishtinës shprehin shqetësim për mungesën e tualeteve publike në qytet, dhe disa prej tualeteve që ofrohen me pagesë, ata thonë se nuk ofrojnë kushte të mira higjienike. 

Sipas tyre, Prishtina ka nevojë më shumë për tualete. Përderisa për kthimin e këtij tualeti me pagesë ka mendime të ndryshme.

Përveç kësaj, Komuna e Prishtinës ka tualete publike edhe në Parkun e Gërmisë dhe Parkun e Qytetit, por asnjëri prej tyre nuk është në funksion për qytetarët.