Trotuaret janë shndërruar në parkingje.
Problemi i këmbësorëve në Prishtinë vazhdon të jetë i njëjti për vite me radhë.
Në vend që të kalojnë qytetarët, në trotuare parkohen veturat, duke vështirësuar lëvizjen e lirë të këmbësorëve.
Përderisa në qendër ky problem është zgjidhur përmes pengesave të vendosura nga Komuna e Prishtinës, në lagjet e tjera dhe në periferi vazhdon të jetë problem i madh bllokimi i trotuareve.
Qytetari Qamil Gashi thotë se në rrugën “24 Maji” po rrezikohen nga veturat, pasi ata detyrohen të ecin në rrugë.
“Nuk mund t’i grahin karrocës në trotuar dhe ecin nëpër rrugë, rrezikojnë. Para pak dite ka ardhur një veturë me shpejtësi aq të madhe sa për pak sa nuk e shkeli një person. I kanë larguar policët e vdekur, kanë qenë përpara por i kanë larguar. Trotuari, i bllokuar me vetura. Te shkolla kanë qitë pengesa, a këtu ka më shumë nevojë sepse nxënësit vijnë të gjithë këtu dhe nuk mund të kalojnë prej veturave”, thekson ai.
Sipas Gashit, problemi qëndron edhe te mungesa e trotuarit në anën e kundërt të kësaj rruge.
“Këtë pjesën këndej nuk ka trotuar. Isa Mustafa kur ka qenë ka bë kërkesë e deri më tash ende nuk e kanë realizuar”, deklaron ai.
Ky problem nuk është vetëm në këtë lagje. Banorë të Kolovicës ankohen se edhe ata përballen çdo ditë me këtë problem.
“Liria e lëvizjes nuk është aspak e mirë, por duhet të ballafaqohemi me këtë realitet. Është shumë e vështirë. Duhet të merren masa të largohen që njerëzit të kenë lirinë e lëvizjes. Mënyra më e mirë është vendosja e pengesave”, thekson një qytetare.
“Me ecë me dalë, nëse del me kerr veç nëse të kap zemra e me ecë në këmbë edhe më kiamet”, thekson një tjetër.
Një qytetar tjetër thotë se rrugët e ngushta e pengesat janë të mëdha. “Ka njerëz që i kanë tre kerre e s’ka ku i len, i len në rrugë. Gjysma e shtëpisë është garazh e 3 vetura i shti brenda. Pjesa tjetër i kanë qitë shtëpitë në rrugë dhe s’kanë garazh. Është pengesë për nxënësit, pleq edhe për të rinj. Unë dal në qytet dhe kam pengesa sepse ky e ka ndalë në rrugë”, deklaron ai.
Komuna e Prishtinës thotë se për momentin nuk kanë një kontratë aktive për vendosjen e pengesave nëpër trotuare, e që automatikisht kjo gjë do të ndikonte në lirimin e trotuareve prej veturave.
Enver Kadriu, nga drejtoria e Shërbimeve Publike, thotë se ata janë në përfundim të realizimin të dy kontratave të re.
“Komuna e Prishtinës është në përfundim të dy kontratave që kanë të bëjnë me lirimin e hapësirave, përkatësisht trotuare dhe vitin e ardhshëm të vazhdojmë me të njëjtat kontrata dhe varësisht prej mundësive të buxhetit të rriten shuma e mjeteve që të kemi sa më shumë intervenime në terren”, deklaron ai.
Për vitin e ardhshëm Kadriu thotë se parashihen të zgjerohen edhe në periferi me vendosjen e rrethojave nëpër trotuare.
“Pikësëpari si plan kemi filluar rreth qendrës. Vitin tjetër do të përfshihet edhe periferia me rrugët kryesore së pari, e pastaj edhe në periferi. Për momentin jemi duke menduar të gjejmë një formë më të përshtatshme sepse duhet mirëmbajtja edhe e atyre që janë të realizuara në terren. Rrethojat janë njësoj. Por jemi duke planifikuar të gjejmë një material më të përshtatshëm. Por për momentin do të jenë njësoj”, thekson ai.
Kontrata do të jetë në vlerë 1.2 milionë euro.
“Për momentin kontrata ka qenë 400 mijë euro e tani jemi duke pritur një kontratë 1.2 milionë e që jemi në realizim e sipër, me një operator privat. Ndërsa me Ndërmarrjen Banesore na lejon ligji të lidhim kontrata të tjera. Nëse na lejon buxheti të planifikojmë deri në 2 milionë do na ndihmonte të realizojmë punë të mira që i kemi planifikuar”, deklaron Kadriu.
Sipas tij, në fillim të realizimit të projektit të pengesave çdoherë hasin vështirësi dhe pengohen nga qytetarët.