Pothuajse aspak nuk i është ndryshuar pamja e vjetër. Por interesimi për të kryer pazaret në tregun e Prishtinës nuk është i njëjtë si dikur.
Bajram Ramadani tash 84-vjeçar, thotë se gjysmën e jetës e kaloi në këto shtande duke shitur fasule, e madje edhe njihet me nofkë të tillë.
Me moshën e shtyrë tashmë Bajrami në treg vjen veç si klient, por ende ruan raportin e mirë siç e kishte pasur edhe në kohën e tij.
Kujdeset që blerjet t’i kryejë të martave, në ditë pazari.
Pjesë e tregut kishin qenë edhe të parët e Idriz Hajdarit nga Podujeva, në fillimin e pazarit kaherë është i pozicionuar në tezgën e tij të njohur si Llapi numër 6.
Tregon se ka shumë klientë të vjetër që nuk e kanë ndërruar, por edhe të rinj që i janë shtuar. Nga ai furnizohen me biberin e kuq për të cilin thotë se ka cilësinë më të mirë.
E për Mehmet Ademin nevoja për punë e bëri për tash e 25 vjet pjesë të tregut. Në moshën e re filloi punën me shitjen e frutave e perimeve.
Sipas tij, mosinvestimi në infrastrukturë e ka larguar klientelën nga pazari. Shton se po i mungon shumë atmosfera që dikur zhvillohej për çdo ditë, e në veçanti ditën e martë.
Në ditët e sotme, qytetarët shërbimet më të mëdha i kryejnë në qendra tregtare të cilat ndërtimet e tyre i kanë moderne, por tregtarët thonë se pazaret ofrojnë produktet më të freskëta e me çmimet më të lira.