Me instrument në dorë është drejtuar për te Tyrbja e Sulltan Muratit.
Ky është tiranasi Enris Qinami, kompozues e interpretues i këngëve të vjetra shqipe.
“Mirë se ju gjeta në Kosovë! Unë jam Enrisi, këngëtar prej 35 vitesh. Jetoj në Francë dhe me origjinë jam nga Tirana”.
Ka shumë këngë të përpunuara shqipe, të cilat i këndon veçantë në stilin e tij.
Pjesën më të madhe të tyre Enrisi i ka të shkruara si poezi, e secilën prej tyre ua këndon miqve francezë me të cilët jeton tash e 21 vjet.
Këta të fundit thotë se interesohen më shumë për Shqipërinë e shqipen përmes vargjeve.
Populli francez e admiron këngën shqipe e mënyrën e të kënduarit të tij, ku i përzien shumë rryma muzikore njëkohësisht, thotë Qinami.
Në gegërishten e bukur i ka shkruar poezitë për të qenë sa më i afërt me publikun para të cilit interpreton.
E kur fjala vjen për këngë të vjetra shqipe, ai zgjedh këngë të vjetra gjakovare.
Përveç sharkisë, ai luan edhe në instrumente të tjera.
Përmes defit ai interpreton këngë shqipe me tinguj orientalë.
Përshtypje u bëri edhe vizitorëve turq, teksa po e xhironin e dëgjonin interpretimin e tij.