Në moshë kanë diferenca, por fusha e tenisit i bën gjithnjë bashkë në ushtrime Hana Veselin dhe Fresk Sylëhasin.
Për teknikat e veçanta, qetësinë mendore e për zhvillimin fizik që ua ofron tenisi, ata thonë se e duan dhe se e zgjodhën që në fëmijëri.
Por në Kosovë, për t’u zhvilluar “sporti i bardhë” kërkohet infrastrukturë adekuate për tenis, gjë që mungon sipas trajnerit të tenisit Granit Bajraliu.
Ai punon me grupe të ndryshme dhe duke qenë vetë tenist përmend rëndësinë e marrjes me tenis në moshë të hershme.
Gjatë punës, thotë të ketë parë potencial të lartë te të rinjtë kosovarë.
Pos angazhimeve të tjera ditore, Fresk Sylëhasi merret intensivisht edhe me tenis, sport që e ushtron prej 10 vjetësh.
Tregon se ka pasur edhe paraqitje jashtë vendit, duke treguar rezultate pozitive.
“Nëse ndonjëherë kam sfida në përditshmëri, tenisi më bën ta kuptoj se nuk duhet të dorëzohem”, ka thënë Sylëhasi.
Sfidues e dinamik, e sheh tenisin 16-vjeçarja Forta Morina.
Përkushtim maksimal gjatë stërvitjeve tregojnë edhe dy të vegjlit, Hana dhe Shendi.
Ata madje i kanë të preferuarit e tyre për teknikat që i tregojnë në lojë.
Katërshja që i përcollëm në një ditë ushtrimesh synimet i ka të qarta.
Ata duan të renditen krah tenistëve botërorë, me kërkesën e vetme për të pasur hapësira që ua mundësojnë përgatitjet e nevojshme.