Po bëhen plot 26 vjet që kur pothuajse secila familje në Reçak të Shtimes u prek nga masakra që ndodhi në këtë fshat. Tani, dy dekada më vonë, brezat e rinj vazhdojnë ta përkujtojnë këtë ngjarje me aktivitete të ndryshme, kushtuar ditëve të Reçakut.
Egzon Billalli nga Organizata "Të rinjtë e Reçakut" thotë se 15 janari ka pasur gjithmonë jehonë në vend, por këtë herë parashikohet të jetë një organizim më i madh. Futbolli, si sport që bashkon të gjithë, do të luajë sërish një rol të rëndësishëm në Reçak. Përmes një turneu, ata presin mbi 50 ekipe, duke e nderuar kështu kujtimin e atyre që ranë për liri.
“Ne jemi disa të rinj nga fshati Reçak që jemi mbledhur për ta organizuar një turne kushtuar ditëve të Reçakut, konkretisht 15 janarit. Kjo nuk është hera e parë që bëjmë organizime të tilla, por kësaj here kemi dashur që të jetë më madhështore, kemi arritur të organizojmë turneun që pritet të mbledhë ekipe nga gjithë Kosova dhe rajoni, duam të mblidhemi së paku 50 ekipe e tanimë veçse kanë nisur të paraqiten ekipet e para dhe bëjmë thirrje sa më shumë të na bashkëngjiten”, thekson Billalli.
Sipas tij, turneu nuk ka qëllim garues, por e rëndësishme është pjesëmarrja e madhe e sportdashësve. Përmes këtij aktiviteti, synohet të përkujtohet ajo që ndodhi më 15 janar të vitit 1999.
“Sportistët është mirë të jenë mbi 16 vjeç, turneu nuk ka qëllim garues, por duam që 15 janari të mos harrohet asnjëherë dhe të nderojmë ata që ranë për liri, mirëpo do të ketë edhe disa çmime të cilat do të ofrohen. Paraqitja e ekipeve do bëhet deri më 30 dhjetor, ku më pas do të ndahet short dhe ndeshjet do zhvillohen me 4-5 janar dhe 11-12 janar, ndërsa finalja do të jetë më 15 janar”, deklaron Billalli.
Të rinjtë e Reçakut presin që 15 janari i ardhshëm të ketë jehonë të madhe, dhe madje shpresojnë që politikanët të marrin pjesë në aktivitet, duke e bërë të mundur që të paktën atë ditë të mos ketë ndasi.
“Paraqitja e ekipeve do të jetë 15 euro, ato monedha do të ndahen për ekipet fituese, nëse duan tifozët të na bashkëngjiten, hapësirën e kemi për ta, madje do të kemi ftesa edhe për gjitha partitë politike që të paktën ato ditë mos të ketë ndarje por të jenë gjithë të bashkuar”, thotë Billalli.
Kryetari i fshatit, Adem Ramadani, flet për Ditët e Reçakut, që asnjëherë nuk kalojnë pa u përkujtuar nga e gjithë Kosova.
“15 janari njihet qysh nga 1999 kur u bë masakra e Reçakut e cila cilësohet masakër kundër njerëzimit, ne në atë ditë mundohemi gjithnjë të kemi aktivitete të ndryshme, një prej tyre turniri në sport, ne tanimë i kemi traditë ditët e Reçakut sepse masakra është bërë më 15 janar ku u vranë 44 civilë, janë po ashtu 9 dëshmorë të UÇK-së por asgjë nuk ka përfunduar me atë datë, sepse deri më 19 janar është bërë luftë për kufoma”, deklaron Ramadani.
Thotë se është krenar për rininë e fshatit, e cila angazhohet kaq shumë në përkujtimin e ditëve të Reçakut, ku pothuajse çdo anëtar i saj ka një familjar që i mungon nga ajo masakër.
“Ne jemi shumë krenarë me të rinjtë e Reçakut, të cilët janë duke e marrë obligim ndonjë angazhim pasi numri më i madh i tyre kanë ndonjë familjar të vrarë dhe janë të prekur nga ajo masakër, e këto organizime na bëjnë të mendojmë që historia nuk duhet të harrohet, ata u sakrifikuan por e bënë atë për ne që ne tani të kemi liri në sport, në muzikë, në poezi e kudo”, thekson Ramadani.
Udhëheqësi i Reçakut thekson se do të dëshironte që të gjitha shkollat e vendit të zhvillojnë një orë ligjëruese mbi historinë e fshatit dhe përjetimin e ngjarjeve të 26 vjetëve më parë.
“Kisha pasur dëshirë që 15 janari të mos jetë vetëm vizitë në Reçak, por së paku shkollat e gjithë Kosovës të organizojnë një orë ligjëratë për atë se çfarë ndodhi në Reçak më 15 janar të 1999. Në Shtime tanimë kjo bëhet për çdo vit, por do të donim të bëhej edhe në gjithë vendin”, deklaron Ramadani.
Aktivitetet e tilla kanë vazhduar pas luftës, por një ngjarje si ky turne nga të rinjtë e Reçakut po organizohet për herë të parë.