SOT

Të moshuarit me ankesa për Kuzhinën Qendrore

Zilja bie për të treguar se dreka është gati. Të moshuarit në Shtëpinë e të Moshuarve dhe pa përkujdesje familjare në Prishtinë, me të dëgjuar këtë tingull nisen për në sallën e ngrënies.

Por këtij vakti ushqimor sot kanë vendosur t’i përgjigjen pak nga të moshuarit.

Përderisa disa të tjerëve ushqimi iu shërbehet në dhoma.

Pure me mish dhe kungullesha, të shoqëruar me bukë dhe një mollë, është ushqimi për sot.

Ky vakt është në kuadër të menysë së re, e cila po iu shërbehet të moshuarve që nga 1 marsi.

Thjerrëzat, bullguri e disa perime të tjera janë risi në ushqimin e tyre që nga disa po pëlqehet.

Por, ka të tillë që nuk ju pëlqen.

Banorja e kësaj shtëpie, Shenaze Salihu, ka ankesa për Kuzhinën Qendrore, e cila ka marrë përsipër përgatitjen e të gjitha vakteve për ta.

81-vjeçarja thotë se ushqimi që përgatitej më parë nga kuzhina e kësaj qendre ka qenë më i mirë.

Pasi që tani po agjëron, ajo ankohet se ushqimi për syfyr nuk po i mjafton.

E drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunë të Prishtinës, Adelinë Sahiti, thotë se ky ndryshim i menysë është bërë që atyre t’iu shërbehet një ushqim sa më cilësor.

Sipas Sahitit, kjo meny iu është përshtatur edhe personave të cilët kanë diabet.

Ajo shton se po marrin parasysh të gjitha ankesat që kanë pleqtë për ushqimin e ri.

I gjithë ky ushqim vjen nga kjo kuzhinë, nga ku përgatiten edhe shujtat për çerdhe publike dhe për personat me skemë sociale.

Kryekuzhiniera Fatime Zogiani, në Kuzhinën Qendrore të Prishtinës, thotë se ata përgatisin 57 shujta për një vakt, për t’i dërguar në këtë shtëpi.

Për dallim nga ajo që thonë të moshuarit, Zogiani thotë se dërgojnë ushqim shtesë për shkak se ai po pëlqehet shumë.

Në Shtëpinë e të Moshuarve dhe pa përkujdesje familjare janë gjithsej 57 persona. Në mesin e tyre janë 37 gra dhe 20 burra.