Disa nga të burgosurat kanë më shumë se një dekadë që bëjnë jetën prapa grilave të burgut të grave në Lipjan. Secila prej tyre ka arsye të ndryshme për qëndrimin këtu.
E gjatë vuajtjes së dënimit, të burgosurat njëkohësisht kanë mundësi të marrin trajnime për zanate të ndryshme.
Prej afro 40 të dënuarave në Qendrën Korrektuese të Femrave në Lipjan, 8 nga to aktualisht po mbajnë trajnimin për punimin e stolive filigranit.
B.H është një nga të dënuarat e cila është angazhuar në këtë trajnim, e që po i pëlqen shumë puna e dorës të cilën po e mëson brenda burgut. Por sipas saj, në burgje mungojnë aktivitetet e tilla.
Ajo shpreson se zanatin që po e mëson këtu do t’i shërbejë kur të dalë jashtë, e ta shndërrojë si një profesion për të ardhmen e saj.
Trajneri i filigranit, Bashkim Tejeci, tregon se interesimi për ta mësuar këtë zanat ka qenë jashtë pritshmërive të tij. Ai bashkë me dy trajnerë të tjerë udhëtojnë nga Prizreni drejt burgut të grave dy herë në javë, të hënën dhe të enjten.
Ai shton se disa gra në fillim nuk ishin edhe aq entuziaste për këtë mundësi, porse tani të gjitha po mundohen ta realizojnë punën siç duhet dhe të krijojnë punimet e tyre me filigran.
Pos zanatit me filigran, trajnime po mbahen edhe për informatikë e teknologji, e për shkak hapësirës jo të madhe, secili grup ka nga 5 të dënuar.
Të dënuarat të cilat e përfundojnë trajnimin, do të pajisen me një certifikatë nga Qendra për Aftësim Profesional.
Drejtoresha e Qendrës Korrektuese të Femrave në Lipjan, Fatlinda Mustafa, thotë se në qendër vazhdimisht ka trajnime të zanateve të ndryshme.
Ajo tregon se të dënuarat vazhdimisht kanë kërkesa që trajnimet të shtohen dhe të kenë laramani të tyre, mirëpo si pasojë e pandemisë, nuk kanë qenë të gjitha të realizueshme.
Përmes këtyre trajnimeve, grave të mbajtura në këtë qendër do t’u mundësohet të zhvillojnë aktivitete të tyre përmes aftësimit profesional dhe në kultivimin e zejes së filigranit. E po ashtu kjo do të rrisë mundësitë e tyre për t’u punësuar pas lirimit.
Trajnimi për filigranin do të mbahet 1 vit dhe është mbështetur nga organizata “Help Kosovo”, e cila ua ka siguruar edhe pajisjet për të mbajtur trajnimin për informatikë.