Në fund të klasës ka mbetur "tabela e zezë", bashkë me shkumësa e shpuzë që janë përdorur për shumë vite për mësime. Tabela si kjo në disa shkolla të kryeqytetit janë zëvendësuar me tabela digjitale.
Me të tilla është pajisur edhe “Shkolla e Gjelbër” në kryeqytet. Tashmë, nxënësit e kësaj shkolle po i përvetësojnë mësimet me më shumë lehtësi, duke qenë se ato ilustrohen me video dhe zë.
Mësuesja Arta Zhjeqi-Syla thotë se përdorimi i tabelave digjitale po rrit vetëbesimin e nxënësve.
“Shtatori ka qenë sfidë për të gjithë ne si mësimdhënës, në këtë mënyrë na janë dashur pajisje të reja me të cilat do të na u lehtësohej puna dhe në këtë mënyrë të përshtatemi me mësimin tërëditor. Mendoj që tabelat digjitale duhet të jenë të pranishme në secilën shkollë dhe uroj që të pajisen me to, është shumë i lehtë procesi mësimor. Kjo tabelë është shumë e mirë për përsëritje të njësive mësimore që ne i bëjmë në këtë mënyrë po na ndihmojnë edhe videot e shumta të cilat ne i gjejmë dhe që lidhen me mësimet. Ka qenë shumë e lehtë edhe për nxënësit dhe atraktive. Kur po punojnë me këto tabela po iu rritet edhe vetëbesimi më shumë fëmijëve”, thotë ajo.
Nxënësit e kanë mirëpritur gjithashtu përdorimin e tabelave digjitale. Ata thonë se shumica e programeve dhe mundësia për t'u lidhur nga shtëpia përmes platformave me tabelën në klasë po ua lehtëson mësimin.
“Në fakt ka qenë shumë e lehtë adaptimi me tabelën digjitale, sepse ne edhe më herët kemi pasur kontakt me teknologjinë e po ashtu edhe disa prej nesh ndjekin kurse të programimit, sigurisht që ne në tabelat e mençura mësojmë shumë gjëra. Neve po na ndihmon edhe platforma “School Meet”, për detyrat e shtëpisë pasi lidhet me këtë tabelën që ne e kemi në klasë. Ne në këtë platformë i kemi edhe fjalëkalimet me të cilat operojmë edhe në shtëpi”, thotë nxënësja Olta Selimi.
Nxënësi Fron Ahmeti thotë se tabelat digjitale ua lehtësojnë mësimin.
“Është më e lehtë sepse kjo tabelë është teknologjike dhe kemi më shumë programe për të mësuar sesa në tabelën e vjetër të cilën e kemi përdorë që 4 vjet kjo do të thotë që neve po na ndihmon për mësim më të lehtë. Në fillim kur na kanë ardhur tabelat unë nuk kam pasur shumë njohuri se si ta përdor këtë tabelë mirëpo tash jam duke qëndruar edhe më shumë në shkollë dhe po e përvetësoj”.
Drejtori i shkollës, Besart Ismajli, thotë se, përveç nxënësve, edhe mësimdhënësit po e kanë punën më të lehtë falë përdorimit të tabelave digjitale.
“Shkolla jonë që nga data 2 shtator është bërë me qëndrim tërëditor, kësisoj nxënësit tanë janë ndarë edhe në shkollën ‘Eqrem Qabej’. Ne jemi pajisur edhe me tabela digjitale duke mos e anashkaluar edhe shkumësin dhe tabelën tradicionale që e kemi pasur më herët. Nuk është aspak i komplikuar përdorimi i kësaj tabele, fëmijët tanë tanimë janë të informuar edhe me teknologjinë, secili ka telefon në shtëpi dhe ka qasje në internet. Këto tabela ia kanë lehtësuar punën nxënësve dhe mësimdhënësve”, deklaron Ismajli.
Komuna e Prishtinës së fundi ka pajisur me tabela digjitale edhe 7 shkolla të tjera në kryeqytet.