Anduena Zogaj gjithnjë kishte qenë e dalluar në mësime. Aftësitë e saj në shkencë e teknologji bënë që të ndiqte studimet në profilin e shkencave kompjuterike.
Por, përkundër shkollimit që vazhdon ta marrë, edhe talentin e saj në art nuk po e lë anash.
Pasioni për zejet artizanale e shtynë Anduenën bashkë me Sanijen, nënën e saj, të ndiqnin ëndrrën e kamotshme të tyre.
Korniza të personalizuara, dekore, buqeta lulesh, e aksesorë për fëmijë e të rritur janë vetëm disa nga punimet e Anduenës dhe zonjës Sanije që zbukurojnë festat e secilit klient.
Thotë se pasioni për artin u trashëgua nga e ëma, e cila dikur qepte veshje kombëtare, e meqë nuk e vazhdoi punën tradicionale, ajo tani po ndihmon të bijën në krijimin e gjërave unike e moderne.
Qëllimi primar për Anduenën ishte pavarësimi i saj nga financat familjare, deshi të krijonte të ardhurat vetë dhe me mbështetjen e “Help in Kosovo” asaj iu lehtësua puna në sigurimin e mjeteve të avancuara që ndihmojnë krijimin e këtyre detajeve të vogla.
Anduena me shumë dashuri i përkushtohet secilës kërkesë të klientëve, thotë se në të ardhmen pret të zgjerohet edhe me hapjen e një biznesi.
Nëpër rrjete sociale arrin të marrë porosi të shumta, e për çdo ditë mundohet ta pasurojë koleksionin me punime të bukura e të veçanta.
Anduena shton se secila festë ka madhështinë e saj, por për Ditën e Gruas mori më shumti kërkesa për dhurata, e në këtë ditë të veçantë nuk munguan as zbritjet në secilin produkt të krijuar nga ajo.