Kosova në përgjithësi është e pasur me objekte dhe eksponate aerologjike, të cilat u takojnë periudhave të ndryshme. “Stela”, 1500 vjet e vjetër, e cila u gjet në fshatin Koretin të Kamenicës është prej monumenteve të vjetra më të çmuara që ka kjo komunë. Madje një copëz e saj është bërë pjesë e njërit prej muzeve në Çikago të SHBA-së.
Fshati Koretin, i cili shtrihet 6 km në juglindje të qytetit të Kamenicës, përveç bukurive natyrore është i njohur edhe për pasuri kulturore e arkeologjike.
Qindra monumente të vjetra, që u takojnë periudhave të ndryshme janë gjetur në këtë fshat.
Behar Hyseni, drejtor në Drejtorinë e Kulturës dhe Sportit në Kamenicë, përmend disa prej artefakteve më të veçanta që janë gjetur në këtë komunë.
“Kamenica është jashtëzakonisht e pasur me artefakte aerologjike të periudhave të ndryshme, duke filluar nga periudha e antikitetit, ku i kemi disa lokalitete të cilat i takojnë asaj periudhe, siç është edhe rasti i lokalitetit të Korinës, te Kalaja e qytetit të Kamenicës. Gjithashtu kemi edhe artefakte të periudhës së mesjetës, por edhe të modernitetit dhe të periudhës osmane, ku kemi shume objekte të cilat janë në Listën e Trashëgimisë Kulturore”, deklaron Hyseni.
“Sa u përket gjetjeve të fundit është rasti në muajin tetor, këtu në qytetin e Kamenicës, konkretisht te lokaliteti i Korinës ku gjatë gërmimeve të një prone private është gjetur një altar i cili i takon periudhës së antikitetit, konkretisht periudhës së vonë të antikitetit-periudhës romake. Ky artefakt aerologjik në koordinim me Institutin e Aerologjisë është bartur në Prishtinë, ku po i nënshtrohet një procesi të deshifrimit dhe hulumtimit dhe pas përfundimit të këtij procesi do të dimë saktë se cilës periudhë i takon dhe çfarë përmbajtje ka ky artefakt. Shkrimi është në latinisht dhe nuk do të jetë problem mënyra e studimit tutje. Deri më tash dimë se altari i takon një perëndie romake dhe i takon një periudhe mes shekujve të dytë dhe të katërt”, shton ai.
“Stela”, 1500 vjet e vjetër, e cila u gjet në fshatin Koretin të Kamenicës është prej monumenteve të vjetra më të çmuara që ka kjo komunë. Madje një copëz e saj është bërë pjesë e njërit prej muzeve në Çikago të SHBA-së.
“Një tjetër pasuri që si Komunë e kemi janë edhe stelat. Përshkruan një ceremoni të varrimit. Kjo stelë përbëhet prej tri pjesëve, ku dy i kemi këtu në Kamenicë, ndërsa pjesa e tretë është në pronësi të Muzeut Kombëtar në Prishtinë. Po e njëjta është ekspozuar edhe në SHBA, konkretisht në Çikago dhe aktualisht gjendet atje. Vjetërsia e kësaj stele mendohet të jetë 1500 vjet dhe kjo është gjetur në lokalitetin e Koretinit në Kamenicë”, thekson Hyseni.
Ai teksa përmend gjetje të shumta arkeologjike të cilat janë gjetur ndër vite në qytetin e Kamenicës, kërkon nga institucionet relevante ndërtimin e një muzeu, në të cilin do të ekspozoheshin këto artefakte kulturore të kësaj ane.
“Gjithashtu kemi edhe disa artefakte të tjera këtu te këndi muzeor. P.sh. pitosi, i cili është i vjetër 1700 vjet. Pitosi është shfrytëzuar për ruajtjen e drithërave, dhe kjo është gjetur në Komunën e Kamenicës. Realisht janë gjetur qindra artefakte në Kamenicë, ndërsa handikap mbetet mungesa e një muzeu, ku do të mundësohej ekspozimi i gjithë pasurisë arkeologjike të Kamenicës. Ne jemi munduar këtu në Shtëpinë e Kulturës ta improvizojmë këndin muzeor, por po mundohemi të bëjmë zgjidhje edhe për një lokalitet për muzeun e qytetit”, deklaron Hyseni.
Mijëra monumente dhe objekte të vjetra janë gjetur në Kosovë, të cilat kanë dëshmuar njëherësh edhe lashtësinë e shqiptarëve. Shumica e tyre janë në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje.