Storia e radhës do të na dërgojë në Ferizaj, në stacionin hidrometeorologjik nga ku grumbullohen të dhënat për temperaturat në vend. Se cila është puna që meteorologu Besim Aliu e kryen gjatë ditës dhe cilat janë matjet që bëhen atje do ta kuptojmë më shumë nga materiali në vazhdim.
Është më shumë se 40 vjet e vjetër, por që nga aty informohet i gjithë vendi për temperaturat e çdo dite.
E nikoqiri i këtij vendi është meteorologu Besim Aliu, i cili është ndër të parët punonjës të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
Matjet për të kuptuar temperaturat e detajet e tjera shoqëruese të motit, për Aliun fillojnë herët në mëngjes.
Pajisjet janë të shumta, e secila prej tyre ka funksionin e veçantë. Ndër to është edhe ajo për praninë e diellit gjatë vitit dhe po ashtu edhe avullimit.
Me kohë duke u zhvilluar edhe teknologjia, disa nga pajisjet tashmë kanë mbetur aty jashtë funksionit.
Aliu thotë se pajisja më e rëndësishme është shtëpiza meteorologjike. E secila nga to është nga prodhimet e fundit që ka dalë në treg.
Përpos stacionit në Ferizaj, të tilla stacione automatike ka edhe nëpër qytete të tjera, të cilat paraqesin vlerat e matjeve çdo 4 orë.