SOT

Specat e Kosovës të shumëkërkuar në Evropë

Me përfundimin e studimeve, menjëherë filloi t’i punonte tokat që i kishte, e madje zgjeroi hapësirën për të kultivuar dy e më shumë kultura bujqësore.

Mehdi Bresilla tani njihet si një nga kultivuesit më të mëdhenj të specit në Kosovë, e shumica e prodhimit nga ai është e destinuar për eksport.

Sipas tij, bujqësia është e vështirë për t’u mbajtur e shpeshherë kushtet klimatike kanë bërë të punojnë edhe me humbje të mëdha.

Bresilla synim ka tregun evropian, e për një sasi kaq të madhe të prodhimit ai punëson edhe punëtorë sezonalë, por që viteve të fundit problem është mungesa e dëshirës së të rinjve për t’u marrë me punë të fushës.

Viteve të fundit çdoherë e më shumë kemi ngritje të çmimeve të çdo produkti, e në fillimin e vjeshtës meqenëse rritet kërkesa për blerjen e specave, në tregje kemi parë çmime të ndryshme e të larta të këtij produkti, por bujku thotë se çmimi i sivjetmë është real duke u bazuar edhe në produktet e tjera që përdoren në zhvillimin e kësaj bime.

Bujku tregon se që nga viti 2015 nuk ka qenë fare përfitues i granteve edhe pse investimi dhe puna që ka bërë në prodhimtari kanë qenë shumë të mëdha.

Bujku shqetësimin e vetëm që ka është mungesa e kontrollit në vend për produktet që hyjnë brenda territorit, por edhe ato që prodhohen.

Bresilla parcelat në Llugaxhi të Lipjanit i ka të mbjella me spec, dredhëz e mollë, por shton se kultivimi i perimeve është shumë më fitimprurës sesa drithërave e frutave.