SOT

Solidariteti përmes dhuratave në shkollën “Emin Duraku”

Në prag të festave të fundvitit, mbi 200 nxënës të shkollës “Emin Duraku” në Prishtinë janë gëzuar me pako dhuratash, falë projektit “Fëmijët ndihmojnë fëmijët”.

Organizata gjermane “ADRA” sjell çdo vit dhurata të përgatitura nga fëmijët në Gjermani për bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë dhe rajon, duke i gëzuar dhe mbështetur ata që kanë më shumë nevojë.

Shumë prej fëmijëve i pëlqyen dhuratat, pasi përmbanin pajisje shkollore, lodra dhe shumë gjëra të tjera.

Nxënësja Buna Demolli ka theksuar se është shumë e lumtur që ka marrë dhuratë. 

Edhe nxënësja tjetër Rona Luma, ka theksuar se dhurata i ka pëlqyer shumë. “Është e katërta herë që e marr një të tillë. Brenda dhuratës shumë gjera po më pëlqejnë. Kalendari, shalli, gjerat ushqimore e të tjera janë brenda dhuratës sime”. 

I gëzuar është shprehur edhe nxënësi tjetër Princ Sejdiu. 

“Jam shumë i gëzuar që më ka dhënë dhuratë shkolla jonë. Më shumë ka 00pasur lodra dhe rroba”. Kur dikush më jep dhuratë gëzohem shumë sepse është shumë e rëndësishme që dikush të dhuron një dhuratë”. 

Sipas Milan Bogojevich, përfaqësues i “ADRA”-s në Kosovë, ky është viti i katërt që ky projekt realizohet në shkollën “Emin Duraku”.

Ai theksoi se ndihmat fokusohen kryesisht te fëmijët e çerdheve dhe klasave fillestare, duke mbështetur gjithashtu komunitetet me nevoja sociale.

“Jemi shumë të gëzuar që edhe këtë vit kemi mundësinë që të gëzojmë fëmijët e kësaj shkolle. Është viti i katërt që u ndajmë pako/dhurata fëmijëve të kësaj shkolle. Organizata ‘ADRA’ ekziston tashmë disa vjet në Kosovë dhe një prej projekteve kryesore është projekti i cili titullohet “Fëmijët ndihmojnë fëmijët” dhe me këtë rast do të falënderoja ‘ADRA’, me seli në Gjermani që edhe këtë vit ka siguruar 4050 dhurata për tërë Kosovën. Përveç këtyre, jemi të gëzuar që edhe vitin e ardhshëm, diku kah mesi, do të jetë projekti për fëmijë “Qëndrimi i fëmijëve” dhe kjo po ashtu është një gjë e madhe për organizatën ‘ADRA’ në Kosovë. Ndihmojmë, kryesisht i kemi në fokus çerdhet shtetërore dhe parashkollorët dhe klasa e parë, kështu që çdo vit shikojmë që të ndihmojmë ndonjë organizatë tjetër me këto dhurata”, deklaroi Bogojevich. 

Drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani, vlerësoi bashkëpunimin me organizatën gjermane dhe shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme.

Ai gjithashtu njoftoi për planet e ardhshme të shkollës për të ndihmuar fëmijët me probleme shëndetësore dhe raste sociale, duke përfshirë edhe komunitetin RAE. 

“Sot është një ditë më e veçantë duke e falënderuar mikun tim Milanin, i cili që katër vjet e jep një kontribut të jashtëzakonshëm për shkollën tonë me pako nga shteti gjerman, konkretisht familjet gjermane të cilat grumbullojnë veshmbathje, lodra, mjete shkollore etj. Ky ka qenë projekt i lansuar personalisht nga unë dhe z. Milan, pastaj ne i kem zgjedh edhe dy shkolla të tjera të cilat kanë numrin më të madh të nxënësve dhe kanë një gjendje ekonomike më të dobët. Shkolla jonë tash është tash e mesme e ulët 6-9, por i gëzuam nxënësit e klasve të 6-ta. Do të vazhdojmë me fëmijët që kanë probleme me shëndetin, rasteve sociale si dhe komunitetit RAE”, thekson Osmani.

Iniciativa të tilla po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në shkollat e Kosovës, qoftë në mënyrë të pavarur, qoftë me ndihmën e organizatave të huaja. Projekti “Fëmijët ndihmojnë fëmijët” është një shembull i solidaritetit, duke i kthyer festat në një moment të veçantë për çdo fëmijë.