SOT

Sllovenët, vizituesit më të shpeshtë të Brodit

Petku i borës që ka mbuluar malet e Brodit në Dragash po e vë në pah edhe më shumë bukurinë e tyre.
Si një ndër destinacionet më të largëta të Kosovës, Brodi nuk është më pak i vizituar sidomos gjatë stinës së dimrit.

Këtë vit bora ka rënë më herët se vitin e kaluar dhe kësisoj janë bërë gati edhe pistat e skijimit në mënyrë që sezoni të fillojë.

Hekuran Arifi është pronar i njërës prej pistave të skijimit më të vjetra në Brod.
Ai thotë se pret që këtë vit të ketë më shumë vizitorë. Shton se këtu vijnë për të skijuar edhe shtetasit e  Evropës. 

Përmend polakët, mirëpo, sipas tij, listën e vizitorëve më të shpeshtë e kryesojnë sllovenët.

“Krahasuar me vitin e kaluar këtë vit po besoj që do të ketë më shumë të interesuar, sepse edhe bora ka filluar më herët. Interesim ka, mirëpo vitin e kaluar kemi pasur pak borë dhe kemi filluar nga fundi i muajit janar me skijim, është në rritje kërkesa për pushime dimërore dhe për skijim. Këtë vit rezervimet kanë filluar edhe më herët për t’i kaluar pushimet këtu. Turistët vijnë këtu nga e gjithë Evropa, nga Franca, Gjermania, Polonia, Rumania e Sllovenia. Sllovenët ka disa vite që vijnë këtu, përndryshe këtu i kemi të licencuara edhe nga Federata Ndërkombëtarë e Skijimit dhe po shpresojmë që edhe këtë vit ta realizojmë me sukses. Edhe nga Shqipëria viteve të fundit kemi vizitorë shumë”, thekson Arifi.

Ai ka 40 hektarë tokë në malet e Brodit. Si i ri e kishte parë kapacitetin e madh që kanë ato male për të zhvilluar turizmin dimëror.

“Duke parë bukuritë e mahnitshme të maleve të Brodit, sidomos në dimër, kemi vendosur të investojmë diçka, në mënyrë që ta zhvillojmë edhe më shumë turizmin dimëror në këto male, sepse unë mendoj që kanë kapacitete të mëdha. Këtu kemi nën menaxhim 40 hektarë, këtu kemi ndërtuar edhe pistat e skijimit me rreth 5 kilometra vetëm një pistë. Sa i përket menaxhimit është shumë e vështirë dhe duhet me pasë një vullnet shumë të madh. Po ashtu, për të funksionuar edhe më mirë gjithmonë duhet të ketë përkrahje institucionale dhe jo vetëm të turizmit dimëror, por edhe atij veror gjithashtu”, deklaron Arifi.

Përveç që është i vështirë investimi i vetëm, shton se shteti nuk po bën mjaftueshëm për zhvillimin e këtij turizmi.

“Shteti po e proklamon turizmin dimëror, por më duhet të them që nuk po bën mjaftueshëm aq sa ka turizëm në të gjithë Kosovën, të mos flasim vetëm për Brodin në këtë aspekt, mirëpo në përgjithësi në Kosovë sa i përket turizmit jemi të lënë anash nga ana e shtetit. Ajo që shteti mundet dhe duhet të bëjë është të shtyjë investitorët në fushën e infrastrukturës, pastaj të tjerat vijnë dhe shumohen me kohën, sa i përket shtetit mundet me investua edhe vetë në mënyrë që edhe shteti të jetë një bashkaksionar, pse jo”, thotë Arifi.

Sipas Hekuranit, vizitorët në këto pjesë nuk mungojnë as gjatë verës. Vendorët vijnë  me rekomandim të mjekut, e të huajt për ta parë majën e Rudokut, si më të lartën në Kosovë. 

“Duke marrë parasysh bukuritë e këtij vendi dhe shtegun e skijimit që ofron ky vend, janë shtigje që janë të përdorshme dhe të dedikuara edhe për të rritur, edhe për fëmijë dhe unë besoj që këto shtigje i plotësojnë të gjitha kushtet për të bërë ski. Gjatë stinës së pranverës dhe të verës ka shumë vizitorë që vijnë këtu me rekomandim të mjekut. Ata qëndrojnë në këto male për javë të tëra, për ta përmirësuar shëndetin e tyre. Nuk mungojnë turistët as gjatë stinës së verës, për shak se në pjesën lart është Rudoka, është maja më e lartë në Kosovë, që ne e mësojmë Majën e Gjeravicës, mirëpo kjo majë për 3 metra është më e lartë se ajo dhe ka turistë edhe nga vendet e huaja që vijnë për ta vizituar Majën e Rudokës, apo këtë pjesë të Brodit”, thekson ai.

Përveç çmimeve për shfrytëzimin e skive që ndryshojnë, çmimi për përdorimin e ski liftit për vajtje-ardhje është 4 euro.