Disa shkolla të Prishtinës tashmë kanë filluar me mësimin tërëditor. Bashkë me mësimin po shpërndahet edhe ushqimi nga kuzhina qendrore. Këtë gjë e kanë mirëpritur 5 shkollat e kryeqytetit, përderisa fëmijët thonë se po e shijojnë ushqimin e tyre.
Me gëzim po nisen drejt kuzhinës së shkollës, që është diçka e re për ta.
Një nga një rresht, po presin të marrin ushqimin që po e shpërndajnë punëtorët e Kuzhinës Qendrore.
Oriz me mish pule e sallatë, është menyja e ditës së sotme.
Me të marr pjatat ulën me shokët dhe shoqet e klasës për të ngrënë ushqim së bashku.
Disa po e shijojnë aq shumë, sa kërkuan edhe një pjatë të dytë.
Janë nxënësit e klasave 1-5 të shkollës “Faik Konica”, të cilët po e gëzojnë drekën dhe zamrën në kuadër të mësimit tërë ditor në Prishtinë.
Përveç orizit me mish pule, disa nga ushqimet që do t’i konsumojnë fëmijët e kryeqytetit janë edhe: fasulja, gullashi, patatja, mish me lakra, supë me thjerëza, makaronat etj.
Drejtoresha e shkollës, Jehona Oruqi, thotë se është kënaqësi për ta dhe nxënësit, kur në kohën e drekës vije era e ushqimit.
“Ne gjatë javës së kaluar kemi bërë një simulim në kuzhinë pasi është hapësirë e re për shkollën dhe nxënësit. Ditën e enjte veçse e kemi provuar dhe e kemi organizuar gjithë lëvizjen e nxënësve në shkollë. Që nga dita e enjte do të thotë ka pasur komente të mira për ushqimin. ndërsa sot fillojnë aktivitetet edhe për mësimin tërë ditor. Komentet e fëmijëve janë pozitive edhe të stafit janë pozitive. Është kënaqësi kur në kohën e drekës vije aromë e ushqimit në shkollë. Tani veçse është krijuar një ambient shumë i këndshëm për fëmijët kanë hapësira të ndryshme ku do t’i realizojnë aktivitete e po ashtu i kanë edhe hapësirat e realizuara për mësimin e rregullt”, thotë ajo.
Shujtat e ngrohta të sjella nga komuna, po bëjnë që të mos ketë dallime në mes të nxënësve.
“Ka shumë rëndësi sepse ne kemi vërejtur edhe të enjten edhe sot gjatë ditës se po vërehet socializimi nga fëmijët dhe të gjithë e kanë ushqimin e njëjtë dhe të shëndetshëm. Edhe ne ndihemi mirë që fëmijët po ushqehen mirë dhe po ashtu edhe ata po e përjetojnë argëtimin e tyre dhe nuk po e diskutojnë shumë si në të kaluarën që dikush ka marrë ushqim me vete e dikush jo. Tani pra jemi të sigurt si shkollë dhe po e vërejmë edhe tek fëmijët një gëzim të madh dhe dëshira është shumë e madhe”, tregon Oruqi.
Drejtoresha pret që mësimi tërë ditor kësaj radhe të realizohet me sukses.
“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet tash e një kohë të gjatë. Në shkollë është bërë një riorganizim i tërësishëm i shkollës pasi kjo ka strukturë të vjetër dhe tani është investuar nga komuna e Prishtinës dhe në të gjitha këto hapësira janë krijuar vende për aktivitete në të cilat do të përmbahet mësimi tërë ditor. Edhe në klasat ekzistuese do të ketë aktivitete si korrikula digjitale, kështu që planifikojmë që të gjitha aktivitetet të i realizojmë deri në fund”, tregon Oruqi.
Fëmijët janë nën monitorimin e mësueseve, të cilat po kujdesen që të gjithë të jenë të ngopur.
Fatime Sylejmani, mësuese e klasës së pestë, thotë se në këtë mënyrë nuk ka ndarje në bazë të gjendjes sociale.
“Vet fakti që fëmijët e kanë ushqimin e përbashkët na bën me kuptua që nuk do të ketë ndarje në bazë të gjendjes sociale. Edhe uniforma është njëra ndër ato që i bën të barabartë”, thotë Sylejmani.
Tani do të ketë edhe më shumë higjienë, pasi ushqimi nuk do të hahet më në klasa.
“Ushqimin e kanë ngrënë në klasë ndërsa për momentin është gjendja më e mirë. Edhe në kohën kur nuk e kanë pas ushqimin kanë bërë kombinime të ushqimit por sigurisht kjo gjendje është më e mirë”, tregon Sylejmani.
Mësimi gjithëditor nga kjo javë ka filluar edhe në shkollën fillore “Xhemajl Mustafa”, ndërsa nga java e ardhshme pritet edhe në atë “Nazim Gafurri”.