SOT

Shtëpia e nënës Stanë strehë e ushtarëve të UÇK-së

Në lagjen Peshter të fshatit Brus, gjendet një shtëpi që bart në vete një histori dhe krenari kombëtare – shtëpia e të ashtuquajturës nënës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nënë Stanës.

Ky vend, që ishte një bazë e madhe ushtarake gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, sot është një kujtesë e përhershme për sakrificën dhe qëndresën e një populli të tërë.

Mbi 300 ushtarë janë ushqyer nga duart e nënës Stanë. 

Përveç kësaj, gjatë asaj kohe, nëna Stanë kujdesej për 11 fëmijët e saj si dhe nuk ka përtuar të presë qindra refugjatë të cilët janë strehuar te shtëpia e saj.

Në kohë lufte ishte në të 50-tat, por nuk ka kursyer asgjë për askënd. Ka dhënë atë që ka pasur. 

Dera e shtëpisë së nënës Stanë edhe pasluftës ka qenë e hapur gjithmonë për të gjithë, e në veçanti për ish-luftëtarët e UÇK-së.

Me një mikpritje të ngrohtë, ajo në moshën 77-vjeçare bashkë me vajzën e saj, shtriu sofrën plot me bukë e zemër të madhe, ashtu siç kishte bërë para 24 vjetësh për djemtë e lirisë gjatë luftës. (pamje e sofrës)

“Jena kujdes sa kem mundur kem bërë mirë me bukë me çka ka qenë e shtëpisë. Më së shumti janë munduar djemtë, për ne në shtëpi nuk ka qenë edhe e zorshme. Ne jem friksu shumë, por zoti i madh e kem shpëtuar. Kem qenë rrezik por kem prit me vajza e djemtë aq sa kem mundur e sa kem pasur. Krejt janë kujdes çfarë kem pasur me ngrenë me pi, sikur për vete. Derën e kanë pasur hapur të gjithë, edhe natën kanë ardhur dhe u kem bërë darkë dhe çfarë ka qenë nevoja”, thekson Gashi. 

Shemsi Syla, zëvendësministër aktual i Mbrojtjes, i cili dikur mbante postin e zëvendëskomandantit të Zonës Operative të Karadakut, thotë se nëna Stanë do të mbetet përherë një pikë referimi për historinë kombëtare dhe një thesar për brezat që do të vijnë.  

“Marrë parasysh në aspektin strategjik të organizimit tonë, shtëpia ku jem sot ka luajtur rol të jashtëzakonshëm. Të organizimit të luftës, të sigurisë, të mobilizimit dhe të dhënies së fuqisë njerëzore. Nga kjo shtëpi kem pasur tre ushtarë, nëna stane na ka dhuruar tre ushtarë në luftë, bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes që ka qenë në shërbim të luftës. Kjo ka qenë si një nënë e jona, unë shpesh e identifikoj me nënën time sepse kështu ka ngjarë edhe nëna ime dhe tash më duket se e kam një pjesë këtu të nënës sime. Na ka prit dhe na ka thënë ‘bir a jeni lodhur si keni kaluar dhe urdhëroni bukë e zemër, ai takim për mua ka qenë edhe një fuqi tjetër që e ka vulos mendimin e mëhershëm se ku do të vendosemi. Pastaj kem pasur një takim edhe me baçin Nua, i cili ka qenë i jashtëzakonshëm me idetë e tij”, deklaron Syla. 

Ai ka folur edhe për “shumë nëna të tjera kanë dhënë kontribut të madh, por nuk e kanë pasur fatinta presin lirinë”. “Kjo ka pasur fatin ta presë lirinë dhe sot i gëzohet kësaj lirie. Ka një familje të madhe me djemtë, vajza, nipa e mbesa. Është fat i madh që e kem. Nëna Stanë na ka bërë krenarë atëherë por na bën edhe sot. Kjo është në vargun e nënave të shumta që kanë dhënë për këtë vend. Po t’i përmendesh të gjitha është një histori e tërë. Fatkeqësisht ne në historinë tonë nuk i kem dhënë vend të merituar nënës Stanë. Në gjithë Kosovën mund të gjesh përmendore të shumta të burrave, por vështirë është të gjesh një përmendore që ndriçon rolin e nënës. Kjo ishte që i jepte bukë shumë ushtarëve që vinin të lodhur, të rraskapitur e të humbur psiqikisht nga lufta sepse lufta ka pasur pasoja të rënda. Fati ka dashur që kjo familje na ka shpëtuar dhe sot është një reflektim i të vërtetës dhe një kontributit të jashtëzakonshëm bashkë me nënën stane. Prandaj i uroj nënës Stanë gjithë të mirat, shëndet e ta kem sa më gjatë”, thotë Syla.

Fatmir Gashi është djali i tretë i nënës Stanë. Në kohë lufte ai e ka mbajtur pseudonimin Gega dhe deri në përfundimin e luftës, si një 30 vjeçar u ka shërbyer Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

“Ndihem krenar për prindër që kem pasur dhe për gjithë familjen që kem kontribuar për ditën e sotit, çlirimin e vendit. I falënderoj edhe shokët e mi Ejup Gashin prej Mramori, Naser Ahmetin nga Zhegovci, dëshmorin Pajazit Ahmetin, Remin, komandantët e zonave të gjithë. Këtu ka qenë dera e hapur as nuk ka pasur nevojë që të thërrasin vetëm kanë hy, i kem pasur ato kodet dhe kem funksionuar shumë mirë. Bashkë me luftëtarët bashkë i kem kryer këto punë për çlirimin e vendit. Gjithçka çka kem pasur e kem dhënë për luftë”, thekson ai.  

Ejup Gashi është një tjetër ish-pjesëtar i luftës. Me pseudonimin ‘Mala’, atëkohë ka ushtruar detyrën e komandantit për fshatin Mramor. 

Ai është ndër iniciatorët që trupat e UÇK-së gjatë luftës të vendosen në familjen e Nua Gashit.  

“Me kryefamiljarin e kësaj familje jam njohur në vitin 1991. Nga atëherë kem pasur një bashkëpunim të çështjeve humanitare kryesisht. Kur erdhi puna e UÇK-së unë me të ndjerin kam biseduar dhe ia kam kërkuar djemtë për luftë. Pa hezitim ai i ka dhënë djemtë sepse ky korridor ka funksionuar në mënyrë ideale pa asnjë pengesë. Brusë lagjja Peshter dhe fshati Mramor ka qenë edhe një vijë tjetër Peshter-Busi lagjja Sylaj. Ndërsa nga Naseri është bërë kjo vijë deri në Zhegovcë-Verbicë. Kështu që ky korridor ka qenë i famshëm se asnjë e keqe nuk na ka gjet nga këtu. Kem qenë gjithmonë vëzhgim. Kjo familje ka dhënë shumë dhe jem krah kësaj familje”, thekson Gashi.  

Naser Ahmeti, i ashtuquajturi në kohë lufte si komandant ‘Celi’, përveç si komandant i zonës Zhegovcë-Verbicë, ai ka pasur për detyrë edhe sigurimin e armëve e tubimin e komandantëve nga të gjitha zonat e Kosovës.  

“Mbi 30 ushtarë i kam vendosur në këtë odë që po i shihni. Këtu kam sjellë komandantë të zonave si Ahmet Isufin, zëvendëskomandantin Shemsi Syla, Rrustem Mustafën, Remin, Adem Shehun, Shukri Bujën. Këtu kanë ardhur nga të gjitha zonat. Kem strehuar armatim, çka ka pasur nevojë kjo shtëpi ka qenë në shërbim tonin. Që nga fillimi i luftës e deri në përfundim unë këtë shtëpi e kam menduar si shtëpinë time. Nëna Stanë ka qenë si nënë e jona ndërsa baçi Nua ka qenë si baba i joni”, deklaron ai. 

Veli Murati, ushtarak i lartë i FSK-së, thotë se mundi dhe sakrifica e kësaj familjeje duhet të shpërblehet. 

“Gjatë luftës kam qenë koordinator i zonës operative të Karadakut. Ku kam pasur fatin që në kuadër të pozitave që i kam pasur të pres e të përcjell shumë ushtarë të cilët vinin zona të tjera. Peshteri lagje e Brusit ka qenë një ndër bazat kryesore të UÇK-së, me të cilët kem ndarë shumë momente të vështira, e sidomos në ofensivat të cilat kanë qenë në vitin 1999, ofensiva e Zhegovcit dhe ajo e Marecit. Si shtëpi bazë që ka qenë është për çdo lëvdatë, për çdo mirënjohje dhe duhet ta dimë sakrificën, mundin dhe ndjerën e kësaj familje që kanë dhënë në çlirimin e atdheut tonë”, thekson ai. 

Ismet Sylejmani, anëtar i shtabit dhe zëdhënës i Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së, për shtëpinë e nënës Stanë thotë se gjatë luftës ka qenë bazë e fuqishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Sipas tij, pas Nënës Terezë, nëna Stanë është figurë e çmuar e shqiptarëve dhe si e tillë meriton që mundi i saj të shpërblehet.  

“E veçanta e ardhjes tonë këtu është se ne kem ardhur në një shtëpi katolike shqiptare dhe më kujtohet kur janë hedhur bazat e fillimit të luftës të armatosura në Kosovë, në luftën ilegale etiketa mbi ne ka rënduar që ne jemi strukturë çlirimtare për ‘fundamentalistë’, kështu na ka etiketuar Serbia e na kanë thirrur aleatët e saj e armiqtë tanë. Dalja e nënës Stanë e familjes së saj, e djemve në radhët e UÇK-së, ka qenë fitore e dyfishtë. Sepse është argumentuar që populli shqiptar lufton i vetëm dhe me krejt popullin. Buka e një nëne që për mua është nënë heroinë dhe për mendimin tim radhitet pas Nënës Terezë, personaliteti më i madh i Kosovës rreshtuar krah edhe të nënave të tjera që na kanë dhënë bukë e na kanë ndihmuar, deklaron Sylejmani.  

Ai thotë se nëna Stanë do të duhej të nderohej nga drejtuesit e shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë.

“Kombi e ka për nder që e ka nënën Stanë të gjallë. Nënë që ka dhënë me tonelata bukë për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë shtëpi asgjë nuk ka munguar bukë, mikpritje, kripë dhe zemër. Askush nuk është plagosur, as vrarë”, thekson Sylejmani. 

Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dega Gjilan dhe Prishtinë kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që shtëpia e nënë Stanës të shndërrohet muze.

Zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës, lidhur me këtë ka pranuar një shkresë nga Ismet Sylejmani, ish-shef për Informim i Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së, kryetar i Këshillit për Rivarrim të Dëshmorëve të Kombit në Zonën Operative të Karadakut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-shef për Informim i Zonës së 6-të të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës. 

Shkresa drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është në procedurë duke pritur aprovimin që familja Gashi të marrë shpërblimin e kontributit të dhënë gjatë luftës së fundit në Kosovë.