SOT

Shpejtësia e lartë e veturave, rrezikon banorët në “Kodrën e Trimave”

Qytetarët e lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë, janë ankuar që po ndihen të rrezikuar. 

Ata akuzojnë shoferët për ngasje të veturave me shpejtësi të madhe. Sipas tyre, Komuna duhet të vendosë policë të shtrirë, në mënyrë që fëmijët e lagjes të mos rrezikohen.

Shoferët në rrugën “Ismet Krasniqi”, në këtë lagje nuk kujdesen për respektimin e shpejtësisë.

Ky problem po i përcjell qytetarët tash e shumë vjet.

Për ta evituar atë, gjatë kësaj jave ata kanë dërguar një kërkesë te DSHP-ja, në Komunën e Prishtinës, për të vendosur policë të shtrirë në rrugë, në mënyrë që të mund të kontrollohet shpejtësia e makinave.

Mirëpo sipas qytetarëve, kërkesa e tyre ka hasur në vesh të shurdhër.

“Gjatë ditës se djeshme i kam dërguar kërkesë me shkrim Drejtorisë së Shërbimeve Publike për dy rrugë “Ismet Krasniqi” dhe “ Mon Balaj”, në të cilën kanë nevojë që të vendosen policët e shtrirë për shkak të tejkalimit të shpejtësisë. Kjo është një rrugë shumë e qarkullueshme dhe ka banorë në këtë pjesë dhe banorët të cilët kalojnë këndej po ndihen të rrezikuar, për shkak të shpejtësisë se veturave. Deri më tani, Komuna e Prishtinës nuk ka bërë ndonjë reagim ose edhe të marrë ndonjë hap për ta realizuar kërkesën tonë”, deklaron banori Besart Krasniqi. 

Ai thotë se frikën më të madhe e kanë ndaj rrezikut që u kanoset fëmijëve, gjatë lëvizjes në lagje.

“Ne nuk kemi ndërmarrë ndonjë hap si qytetarë, kemi dashur që ta bëjmë në mënyrë zyrtare përmes Komunës, por deri më tani Komuna ka qenë neglizhente ndaj kërkesave tona përkundër faktit që ne kemi ankesa të vazhdueshme. E ftoj Komunën që të intervenojë në këto rrugë në mënyre që të mënjanojë një rrezik potencial për jetën e banorëve sidomos fëmijëve të cilët shkojnë në shkollë”, thekson Krasniqi.

Përveç fëmijëve, edhe të moshuarit thonë që lëvizjen në lagje e bëjnë me shumë kujdes.

Rrugën e quajnë të rrezikshme.

“70 deri në 75 për qind kemi qenë të rrezikuar dhe vazhdojmë të jemi për shkak të kësaj rruge. Këtu vijnë prej rrugës kryesore edhe pa menduar fare kyçjen në rrugën e lagjes sonë dhe nuk mendojnë fare që mund të ketë fëmijë këtu. Vijnë me shpejtësi të madhe. Shoferët nuk janë aspak të përgjegjshëm, ne që jetojmë këtu jemi mësuar me këtë gjë tash e shumë vjet. Unë jetoj qe 60 vjet këtu, por frikën e kemi për fëmijët, të cilët duhet t’i kemi çdo herë nën përkujdesje dhe prindërit t’i dërgojnë në shkollë. Unë kujdesem për veten, sepse e di që kjo është rrugë e rrezikshme”, deklaron banori Sahit Rrustemi.

“Këtu nëse nuk niset me ndërtimin e rrugës së re nuk mundet të bëhet zgjedhje adekuate. Përveç institucioneve, edhe qytetarët nëse i kishin mbledhur të hollat me para të veta kishin mundur që ta rregullojmë sadopak. Këtu ka pasur edhe viktima të shpeshta dhe me fatalitet në disa prej tyre”, shton ai.

Banori Ilaz Islami thotë se zgjidhja e vetme do të ishte ndërtimi i tërësishëm i rrugës.
“Ky është një problem tejet i madh me këtë rrugë, përveç që nuk është në gjendjen e duhur por nuk ka as pengesa, kësisoj automjetet lëvizin me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe. Këtë po e kemi problem sidomos me fëmijët edhe për faktin që nuk ka trotuare të mjaftueshme. Kam dëgjuar që kanë paraqitur kërkesa banorët e kësaj lagjeje. Të gjithë fëmijët duhemi t’i përcjellim vetë për në shkollë, kemi edhe kombistë që i përcjellin fëmijët, por pjesa më e madhe përcillet nga prindërit e tyre. Këtë problem ne e kemi këtu për shumë vjet, këtu e kemi të pamundur ta zgjerojmë rrugën për shkak të ndërtimeve këtu që i kanë bërë. Zgjidhja e vetme do të ishte rregullimi i rrugës më mirë, kësaj ekzistente”., thekson ai.

Problemin e njëjtë e kanë edhe banorët në rrugën “Mon Balaj” dhe në atë “Vlora”.