Me çelës po hap derën e shkollës së Gllogovicës, ku ka punuar për 42 vjet me radhë. Me një gëzim të fshehur brenda tij, mësuesi Asllan Bekteshi niset të marrë ditarin, të cilin nuk e kishte prekur me dorë për gati dy vjet që nga dalja e tij në pension.
Gjatë qëndrimit në klasë, kujtimet që i kanë mbetur nga kjo shkollë e përshkojnë thellë.
“Normal që kam shumë emocione dhe nuk qenka lehtë. Ka përafërsisht dy vite që këtë ditarë se kam pasur në dorë dhe tani kur po e shpalosi po i shoh shkrimet, po i shoh orët, emrat e fëmijëve vërtetë që jam shumë i emocionuar. Mësimin e kam filluar në shtator të vitit 1981, për herë të parë kam dalë mësues në këtë shkollë. Kam punuar prej 1981 deri më 10 shtator 2023 kam qenë për herë punëtorë i kësaj shkolle. Meqenëse drejtorinë e kemi në Dabishec ka pas raste që kam punuar edhe atje, mirëpo gjithsej 42 vjet kam punuar këtu. Pjesën më të madhe e kam kryer këtu në këtë lokal, po them lokal pasi unë kam punuar edhe në shkollën e vjetër dhe tani kjo është shkollë e re”, thotë Bekteshi.
Ai tregon për vullnetin e entuziazmin e madh që kishte për të mësuar nxënësit.
“Edhe unë edhe çdo mësues ka emocione ka gjëra të ndryshme. Kur kam dalë në fillim si i ri me energji të re me vullnet, me dëshirë dhe shumë më entuziast kam punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm. Ndonjëherë edhe të shtunave s’mundesha të rrija në shtëpi, kisha dëshirë të jem në shkollë të jem me kolegë, me ata nxënës që të mund të reflektojë sa më shumë punë te ta. Kujtimet janë të mira shumë. Asnjëherë nuk më ka munguar gjuha e përbashkët dhe mirëkuptimi si me kolegë e me nxënës. Kam qenë i afërt për ta, megjithatë e kam ruajtur distancën mësues e nxënës. Kujtimet më të mira të jetës sime kanë mbetur këtu në shkollë”, deklaron Bekteshi.
Momentin e dorëzimit të ditarit për pensionimin e tij, Asllani e përjetoi shumë rëndë. “Nuk e kam përjetuar mirë sepse vet njeriu vjen tu e pa vetën që është duke e bërë një moshë dhe vjen duke u shpenzuar. Nuk e ke freskinë dhe energjinë si në vitet e para si fizikisht e po ashtu edhe psiqikisht. Edhe pse dëshira ishte të jem gjithmonë pranë fëmijëve por e vërehesha nga dita në ditë kishte ardhur koha të dorëzoja ditarin”, thekson Bekteshi.
Por, më e dhimbshme se kjo ishte fakti se me pensionimin e tij, shkollës së Gllogovicës iu vu dryni.
“Me pensionimin tim edhe kjo shkollë u mbyll dhe e kam ndier shumë rëndë, jo pse shkova në pension por u mbyll edhe shkolla. Dhimbjet e shkuarjes sime në pension do të ishin më të vogla sesa mbyllja e shkollës. Ëndërroja që nëse funksion shkolla, ka nxënës, ka mësues e drejtor edhe unë herë pas herë do të vija t’i vizitoja e të kënaqesha me ta, por pas pensionimit tim u mbyll kjo krejt. Ata pak fëmijë që mbetën u desh t’i dërgojmë në Dabishecë”, deklaron Bekteshi.
Më parë, shkolla kishte më shumë nxënës, thotë ai.
“Këtu ja qenë një dallim i madh pasi kur kam punuar këtu kanë qenë mbi 100 nxënës, çdo klasë i ka pas rreth 20 nxënës. Ka pas të mirë, më pak të mirë, por çka mund të theksojë unë se edhe vet nxënësit kanë qenë më të edukuar, më të respektueshëm dhe më të etur për dije dhe mësimi ka qenë shumë cilësor. Nga kjo punë që po e them ndihemi krenarë që nga këto banka të kësaj shkollë kanë dalë nxënës që sot janë të suksesshëm në shumë fusha”, thekson Bekteshi.
Ai propozon që objekti i shkollës të përdoret për një ambulancë, pasi kjo është shumë e nevojshme për banorët e fshatit.
“Kjo është një pasuri e jona që duhet ta mbrojmë dhe deri nesër mund ta shfrytëzojmë këtë objekt. Ne nuk kemi ambulancë në fshat dhe kemi kërkesë që kjo të shndërrohet në ambulancë, sepse është shumë e nevojshme pasi kemi të moshuar që ankohen nga sëmundje të ndryshme dhe ndonjëherë në pamundësi të shkojmë në Prishtinë këtu do e merrnim ndihmën e parë. Do i kthehej krenaria sado pak e vogël, por që rrinë mbyllë është për keqardhje. Me pas një qarkullim, me pa një lëvizje edhe neve na kryen nevojat tona”, deklaron Bekteshi.
Sipas tij, mbyllja e shkollave lidhet me braktisjen e fshatrave.
“Mbyllja e shkollës të shtinë të mendoj se zbrazja e fshatit të popullatës. Kjo ka ndodhur në shumë fshatra. Gjithë kjo natyrë e bukur, ky fshat i bukur, me ajër të pastër të braktiset dhe të shkojnë e të grumbullohen në qytet, por ky është një vlerësim i tyre. Fshatrat po mbesin të boshatisura, toka po mbet djerrinë dhe po humb atë pamjen dhe krenarinë që kishin më parë. bashkë me to edhe objektet e reja shkollore. Shkolla pa nxënës nuk mund të ekzistojë. Këtë nuk na bërë askush, por ne vet duke mos e dashur fshatin”, thotë Bekteshi.
Ai përmend edhe ndryshimin e cilësisë së arsimit nga koha e kaluar.
“Unë mendoj që mësim më cilësor ka pasur më parë, para lufte, në ato kushte të mjerueshme sesa këtyre viteve. Mendoj që nxënësit kanë qenë më të disiplinuar, më të dashur për mësuesin, më të etur për dije dhe po ashtu edhe vet mësuesit ishin të përkushtuar që me çdo punë të arrijë qëllimin. Ne bënim gara se cila klasë po del më e mirë se tjetra, ishim të përkushtuar te nxënësi. Tani ka shumë faktorë, por liria e tepruar te fëmijët kjo ka dikuar. Nuk është respekti ndaj mësuesve siç ka qenë. ka mjaftuar një mësues me qenë përpara dhe ka pas disiplinë. Tani ndoshta liria e tepruar, kurrikulat e reja që për ne nuk kanë qenë të mira aspak dhe kjo ndoshta ka ndikuar mungesa e suksesit të nxënësve”, thekson Bekteshi.
Ky është i dyti 7 Mars që mësuesin Asllan Bekteshi e gjen të pensionuar.