SOT

Shkolla “Pavarësia” me kasaforta nëpër klasa për ta ndaluar përdorimin e telefonave

Materiali në vazhdim na dërgon në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, në të cilën risi janë disa kasaforta të vendosura në 10 klasat e kësaj shkolle. Sipas disa hulumtimeve të fundit që janë bërë thuhet se nxënësit kalojnë më shumë se 3 orë në telefon e madje nuk kufizohen fare nga prindërit, e tani në këtë shkollë nxënësit e klasave të 8-ta dhe 9-ta kur të vijnë në shkollë duhet dorëzuar telefonin e tyre në kasafortë e më pas ta marrin pasi ta kenë kryer mësimin, kjo gjë pritet të ndryshojë qasjen e të rinjve në varësinë që kanë ndaj përdorimit të telefonave e sidomos gjatë procesit mësimor.

Sipas një hulumtimi të profesorëve të Departamentit të Gazetarisë, Arben Fetoshi dhe Faton Ismajli, nxënësit kosovarë qëndrojnë online mbi 3 orë gjatë ditës. Madje, shumica prej tyre fare nuk kufizohen nga ana e prindërve. Mirëpo, shkolla fillore “Pavarësia” në Prishtinë ka filluar të praktikojë një metodë të veçantë, e cila sadopak do të kufizojë përdorimin e telefonave gjatë procesit mësimor.

Nxënësi i klasës së 9-të, Blin Lokaj, çdo mëngjes para se të ulet në bankë i duhet ta dorëzojë telefonin e tij, ta lërë brenda kasafortës, e cila është vendosur në hyrje të klasës tash e një muaj. Krejt në fund të mësimit ai ka të drejtë ta marrë atë.

“Kasaforta ka ardhur që një muaj, çdo mëngjes duhet me i lënë telefonat këtu e me qenë më të koncentruar në orë, në fund të mësimit e hapim kasafortën dhe marrim telefonin. Unë e kam telefonin, 3 vjet zakonisht e përdori për argëtim më shumë e nganjëherë edhe për mësime, më herët e kam përdorur edhe gjatë mësimit e tani nuk po e mbaj afër. Ka pasur raste që kam menduar shumë për telefon saqë kam harruar që jam në klasë, e më pas është dashur me u kyçë në mësim e më mirë është me kasafortë, sepse e di që nuk e kam në xhep dhe jam i dedikuar në mësim”, tha Lokaj. 

Por, psikologu i kësaj shkolle, Nazim Mahmuti, thotë se teknologjia meqenëse çdo herë e më shumë po zhvillohet, atëherë nuk është e drejtë që të ndalohet plotësisht përdorimi i saj, por më shumë të punohet në mënyrën se si do duheshin nxënësit ta përdornin atë.

“Duhet pasur parasysh se në epokën e teknologjisë nuk është në rregull me ndalu përdorimin e saj, por me kanalizu aty ku duhet dhe teknologjia të bëhet mjet kërkues për nxënësit, ne duhet të fokusohemi në zhvillimin e digjitalizimit të shkollës, telefonat kanë ndikim negativ te nxënësit, sepse krijojnë varësi te ta e më pas mësimdhënësit nuk mund ta menaxhojnë orën, ky vendim erdhi si i menjëhershëm, sepse me telefon po xhirojnë mësimdhënësit e nxënësit e më pas po bullizohen”, tha Mahmuti. 

Ai thotë se ndalimi i përdorimit të telefonave në procesin mësimor ka penguar po ashtu edhe bullizimin, pasi shpeshherë një dukuri e tillë ndodh në klasë.

“Nxënësit vetë janë shprehur se tani po ndihen më mirë, sepse e dinë që nuk e kanë telefonin dhe po mundohen të koncentrohen, ata e dinë se telefonin gjatë mësimit e kanë të mbyllur dhe në mënyrë psikologjike po fokusohen në mësim”, tha Mahmuti. 

Sipas zëvendësdrejtorit, Halil Brahaj, rregullorja në shkollë nuk e ndalon marrjen e telefonit në shkollë, por përdorimin e tij në proces mësimi. Kasaforta ishte zgjedhja më e mirë për këtë problematikë.

“Me ligjin për arsimin parauniversitar ndalohet përdorimi i telefonave në shkollë që nuk e determinon edhe posedimin e tij, nxënësit mund ta kenë por jo ta përdorin atë, kemi ardhur në përfundim se nuk mundemi me mbajt evidencë çdo ditë se kush e merr e kush e lë telefonin, më mirë ishte sigurimi i kasafortës, i kemi pajisur 10 klasë, në veçanti klasën e 8-të dhe të 9-të, në orën 7:30 lihet telefoni dhe merret pas përfundimit të mësimit, kryetari i klasës e mban çelësin e kësaj kasaforte”, tha Brahaj.

Kasaforta, e cila ka kushtuar 35 euro, u mundësua falë donatorëve. Aktualisht 10 klasë janë pajisur me nga një kasafortë, por kanë mbetur edhe aq të tilla për t’u kompletuar e tërë shkolla.

“Një kasafortë e tillë kushton 35 euro, pagesën e siguruam nga donatorë të ndryshëm, ka pasur edhe prindër që kanë shprehur dëshirën të ndihmojnë, ne mirëpresim ndihmën e gjithkujt që mund të na ndihmojë në realizimin e këtij projekti për të mirën e nxënësve. Janë 10 kasaforta dhe presim të kemi edhe 11 copë gjatë këtij sezoni deri në fund të gjysmëvjetorit, sepse shkolla nuk ka mjete të veta financiare, por ato i sigurojmë nga donatorët, na duhen 21 kasaforta për të pasur secila klasë”, tha Brahaj. 

Ai tregon se prindërit, nxënësit e edhe mësimdhënësit e mirëpritën idenë e vendosjes së kasafortës në hyrje të klasës, e madje rezultatet pozitive kanë filluar të vërehen qysh në ditët e para.

“Këshilli i nxënësve e ka mirëpritur këtë vendim, nuk ka pasur asnjë ankesë për t’u kundërshtuar, andaj nuk kemi hasur në keqkuptime, kemi nxënës të mirë, ka edhe prej tyre që nganjëherë mund të kundërshtojnë, por këtu nuk ka pasur ndonjë problem dhe është mbështetur nga të gjithë, sepse ata e kanë kuptuar që është në të mirën e tyre”.

Edhe në disa shkolla të tjera ka nisur përdorimi i kasafortave në mënyrë që nxënësit të jenë të përqendruar gjatë procesit të mësimnxënies, e sidomos në këtë periudhë kur vazhdimisht bëhet thirrje që fëmijët të kontrollohen dhe të mos jenë të ekspozuar me orë të tëra në rrjete sociale e lojëra elektronike.