SOT

Shkolla “Mihal Grameno” bëhet me atelie të artit figurativ

Dikur të gjitha punimet e nxënësve ekspozoheshin në korridorin e shkollës, por nga 14 shkurti ata tashmë po e shfaqin talentin e tyre në atelienë e re të artit. 

Shkolla "Mihal Grameno" në Fushë-Kosovë, duke vlerësuar talentet e reja në art, ka mundësuar krijimin e një hapësire të veçantë për ta. Atelia e dedikuar për art ofron mundësinë e shprehjes krijuese në një ambient të përshtatshëm dhe të rrethuar vetëm me art.

Ajlina Bajçinca, nxënëse e klasës së 7-të, shprehet e lumtur që dëshira e saj për të krijuar art do të realizohet më lehtë falë hapësirës së re që ofron atelia e shkollës.

“Më vjen mirë që tani kemi atelie, sepse më herët këto orë i kemi zhvilluar në klasë dhe korridore dhe tani kemi mundësi të zhvillohemi më shumë në fushën e artit. Unë e shoh veten të merrem me art në të ardhmen, sepse aty më ndihmon të shpreh mendimet e mia”, thotë Bajqinca.

Alea Zhugolli, nxënëse e klasës së 9-të, thotë se mësuesja e saj ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e dashurisë së saj për artin. Madje në të ardhmen Alea shpreson të ndjekë një karrierë si arkitekte e suksesshme.

“Pasionin për artin e kam filluar qysh e vogël, kam dashur vazhdimisht me pikturu, më së shumti më pëlqejnë vizatimet me laps dhe portretet, por edhe zemrat biologjike. Arti në shkollën tonë është shumë i zhvilluar, kjo falë mësimdhënëses Miradije, ajo është pasiononte dhe tani i kemi edhe kushtet më të mira. Më parë ne kemi pikturuar në korridore, tani jemi të lumtur që e kemi atelienë e shkollës, puna e palodhshme e mësimdhënëses ka sjellë këto rezultate, në shkollë ka shumë talente të artit. Në të ardhmen kam dëshirë të bëhem arkitekte e ky drejtim ka të bëjë me artin dhe do të më ndihmojë shumë në zhvillimin e karrierës”, deklaron Zhugolli.

Mësimdhënësja e artit, Miradije Morina, tregon për kushtet në të cilat ajo ka punuar deri para pak javësh.

“Më herët kemi pasur hapësirën nëpër korridore të shkollës dhe ka qenë shumë e vështirë sidomos shkolla jonë që njihet si e mbingarkuar me nxënës dhe pa hapësirë të mjaftueshme. Me disa nxënës të talentuar kemi shprehur gjithnjë dëshirë për të pasur një atelie për të shfaqur frymën e artit, erdhi koha tani të realizohet kjo ide që e kemi pasur bashkë me drejtorin dhe mësimdhënësit e tjerë dhe OJQ-në "Mus-e Kosova", që na ka dhënë këtë mundësi”, thekson Morina.

Ajo shton se edhe nxënësit që më parë nuk e kishin pëlqyer orën e artit, tani, falë ateliesë, kanë ndryshuar mendimin dhe tani mezi presin ta zhvillojnë këtë lëndë. 

“Në momentin që kanë kuptuar për realizimin e ateliesë kanë qenë shumë të gëzuar dhe kureshtarë, por tani veçse e kemi të realizuar. Më shumë jemi të fokusuar në pikturë dhe skulpturë. Kemi pak materiale, por shpresoj të sigurojmë së shpejti”, deklaron Morina.

Sipas drejtorit Ismet Gashi, dëshira për krijimin e një atelie të artit brenda shkollës ka qenë e kamotshme e ky projekt u mundësua si donacion nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe i realizuar përmes OJQ-së "Mus-e Kosova".

“Në këtë shkollë është krijuar kulturë dhe traditë e artit dhe vazhdimisht kemi punuar me zhvillimin e talenteve të reja, dëshira ka qenë me pasë një hapësirë të mjaftueshme që këta talentë të jenë të përfshirë në atelie, këtë vit morëm donacion që nga një pjesë e depos së shkollës të krijohet kjo hapësirë dhe shpresojmë që kjo t'i stimulojë ata që të jenë artistë të suksesshëm në të ardhmen”, deklaron Gashi.

Shkolla “Mihal Grameno” tani disponon atelienë e saj, por për të shfaqur plotësisht talentin nxënësve u nevojiten mjetet dhe materialet e duhura për art. Ata shpresojnë që Komuna e Fushë-Kosovës, si dhe organizatat e ndryshme, do të mbështesin shkollën në këtë drejtim, për t'u siguruar që nxënësit të kenë mundësinë të zhvillojnë kreativitetin e tyre në pëlhurë të bardhë.