Nga dollapët e vendosur në korridorin e shkollës, nxënësit po merrnin librat për lëndët që vijonin.
Këta janë nxënësit e shkollës së mesme të ulët "Nazmi Hoxha", në Gjilan.
Ndryshe nga shkollat e tjera, në këtë shkollë janë nxënësit ata që për çdo orë ndryshojnë ambient.
Ata zhvendosen në kabinetet ku i presin mësimdhënësit dhe, sipas tyre, ky ndryshim po i bën lëndët shumë më atraktive.
“Për mua si nxënëse është një hap tejet efektiv, sepse mësim-nxënia për neve është bërë edhe më atraktive dhe po e kemi mundësinë me lëvizë e mos me qëndru vetëm në njërën klasë. Fakti që secilin kabinet e kemi të shfrytëzueshëm, nënkupton që fokusi në shkollën tonë është në aspektin praktik të zhvillimit të orëve mësimore”, thekson nxënësja Jora Bllaca.
“Lëvizja nga klasa në klasa ka bërë që ne mos me u bë monoton vetëm në një klasë. Na ka ndihmu në rritjen e produktivitetit, sepse tash po e kombinojmë mësimin përmes materialit në libër me zhvillim praktik të këtyre orëve. Mua më pëlqejnë lëndët shkencore, prandaj më janë bërë lëndët shumë më të kapshme dhe atraktive me këtë ndryshim që drejtoresha jonë e ka bërë në shkollë”, thotë nxënësja tjetër Arnisa Sadiku.
Edhe për mësimdhënësit e kësaj shkolle, puna është bërë më e lehtë.
Ata theksojnë se produktiviteti i nxënësve është rritur, pasi ata zhvillojnë orët mësimore në ambiente të ndryshme.
“Puna kabinetike po luan një rol shumë të rëndësishëm në sistemin arsimor te ne, sepse pikë së pari për nxënësit po është ora më atraktive dhe kalimi i tyre prej një kabineti në tjetrin po sjell freski te ta. E mira është që secili kabinet është i pajisur me të gjitha pajisjet dhe padyshim ne e kemi vënë re se nxënësit gjatë kësaj kohe kanë qenë më produktiv dhe të fokusuar nëpër orë mësimore”, theskon mësimdhënësja Emine Ejupi.
Drejtoresha Dashurije Leka – Shaqiri kishte synim që hapësirën e shkollës ta shfrytëzonte në mënyrë optimale. Kështu, ajo krijoi klasat kabinetike, siç i quan ajo, ku nxënësit mund të përdorin pajisjet për orët praktike. Ajo thotë se është frymëzuar nga modelet e shkollave evropiane.
“Shkolla jonë i ka 320 nxënës, por hapësirën brenda objektit e kemi shumë më të madhe. Prandaj kam dashur që falë këtyre hapësirave të sjell një formë mësimi tjetër, bazuar edhe në modelet evropianë të shkollave, ku janë nxënësit ata që e ndryshojnë klasën e mësimit dhe jo mësimdhënësit. Kjo është karakteristikë për shkollën tonë që na dallon prej shkollave tjera të Kosovës. Edhe për mësimdhënësit është punë shumë më e lehtë kur secili prej tyre e ka kabinetin e vet dhe mund ta bëjë orën krejt interaktive me nxënësit”, thekson ajo.
Shkolla “Nazmi Hoxha” prej kohësh posedon edhe dollapët, ku secili nxënës mund të vendos gjësendet personale, librat a pajisjet e tjera shkollore.