I duhen dy ditarë për ta mbajtur një orë mësimore në një klasë ku nxënësit janë të gjeneratave të ndryshme.
Mësimdhënësja Fatbardha Halili ka disa vjet që mban mësim të kombinuar brenda një klase.
Ditën e fundit të javës ajo mbante matematikë për nxënësit e klasës së katërt e në të njëjtën kohë edhe gjuhë shqipe për nxënësit e klasës së dytë, të cilët fizikisht janë bashkë në një klasë.
Për këtë edhe tabela ndahet në dy pjesë.
Të mbash dy lëndë në të njëjtën kohë është e vështirë për nxënësit e edhe për mësimdhënësen. Ajo tregon se shpeshherë nxënësit e humbin koncentrimin për lëndën që e kanë me orar të tyre, për shkak të lëndës tjetër që po ashtu zhvillohet.
Klasat e ndryshme kanë edhe konkurrencë mes vete kur bëhet fjalë për vëmendjen e mësueses. Të vegjlit thonë se gjeneratës tjetër i kushtohet më shumë vëmendje.
Sara Aliu po ndjek mësimet e klasës së katër dhe do donte që mësuesen ta kishte vetëm për klasën e saj.
E Leonita Gashi dhe Medina Veliu, nxënëse të klasës së dytë, thonë se mësimi i përbashkët po u pëlqen, e nganjëherë edhe marrin këshilla nga shokët e shoqet më të rritur.
Mungesa e nxënësve në fshatin Slilovë të Komunës së Prishtinës është arsyeja që këto klasa veprojnë si të kombinuara, por tashmë janë adaptuar secila palë me këtë gjendje, edhe pse do të donin të bëhej ndryshimi në këtë aspekt.
Drejtori vlerëson se kjo nuk është pengesë që nxënësit të jenë të suksesshëm gjithnjë kur të mbarojnë ciklin shkollor fillor.
E drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se ky problem nuk do të jetë më në vitin e ri shkollor që fillon nga shtatori.
“Jemi duke e pritur një udhëzim të Ministrisë, sepse janë duke punuar në një plan në nivel vendi. Na kanë thënë që deri kah korriku kryhet, e mandej komunat e zbatojnë njëjtë”, ka thënë Musmurati.
Në nivel vendi ka shumë shkolla, sidomos në fshatrat e thella, ku nxënësit po shpërngulen e ata që mbesin e ndajnë orën mësimore jo vetëm në dy lëndë, por edhe më shumë.