Shkolla e fshatit Vraniq është një shkollë me klasa të mjaftueshme për 200 nxënës që ka.
Por, kushtet jo të mira janë ato të cilat po ndikojnë në mësim jocilësor për nxënësit e shkollës “Dëshmorët e kombit”.
Dritare e radiatorë të dëmtuar, pasi kjo shkollë thuhet se nuk është rinovuar asnjëherë që nga ndërtimi i saj.
E nga jashtë i mungon oborri e fushat ku fëmijët të kryejnë aktivitetet e nevojshme.
Ata kanë vetëm një hapësirë të ngushtë, të cilën e shfrytëzojnë për të hyrë brenda në shkollë.
Plani ka qenë që për fshatin Vraniq të Komunës së Suharekës të ndërtohet një shkollë e re, e cila nuk arriti të përfundonte asnjëherë.
“Veç kanë filluar pesë vite që nga ndërtimi i shkollës së re që nga data 25 korrik të vitit 2019 dhe punët filluan të shkojnë mirë pastaj pasoi pandemia dhe u zvarritën punët për një kohë të gjatë, pastaj ishin pasojat e tjera dukë u ngritur çmimet dhe ishte e papërballueshme për kontraktuesin. Kohëzgjatja për punime ka qenë 3 vjet ndërsa tani kanë kaluar pesë. Shkolla përditë e më shumë po na vjetërsohet. Kërkesa është e vazhdueshme që së paku ta rinovojmë këtë shkollë por DKA nuk po pranon duke thënë se shkolla do të prishet në momentin që fillohet puna në shkollën e re. Nuk kemi njohuri që do vazhdojnë punimet. Punëkryesi i ka larguar materialet që i ka pasur këtu. Ndërsa nuk kemi njohuri të tjera nëse do të dalë ndonjë tender i ri apo çfarë do të bëhet me shkollën tonë”, ka theksuar, drejtor i shkollës, Bajram Raçi.
Aktivitetet fizike thotë se shpeshherë mundohen t’i bëjnë në toka të ndryshme të fshatit, porse hasin në ndalesa nga pronarët.
“Ne kemi mbetur në një rreth të mbyllur. Nxënësit prej shkollës përmes një rrugice të ngushtë dalin drejt në rrugë ku është mjaft e frekuentuar nga vetura të ndryshme. Nuk kemi vend për aktivitete të ndryshme, shpesh dalim në një livadh mbi shkollë dhe pronarët reagojnë dhe na i ndalin aktivitetet, kështu që jemi shumë keq. Oborr s’ka fare dhe drejt dalin në rrugë”, thekson Raçi.
E tualetet janë të vendosura jashtë objektit shkollor. Gjatë dimrit aty krijohen edhe ngrica pasi mungon ngrohja në to.
“Kemi probleme se tualetet janë jashtë dhe ngrohje kemi, por nuk ka izolim dhe sikur nuk mjafton ajo ngrohje. Ne furnizohemi mjaftueshëm më dru dhe marrim përsëri nëse ka ende nevojë. Ne kemi sukses pavarësisht kësaj shkolle të vjetër. Kemi rezultate të mira po i shihni medaljet që i marrin nxënësit tonë. Nuk ka ngrohje kemi problem gjatë kohës së dimrit, prej ngricave ato prishen shkatërrohen, gjendemi disi deri të vijë koha të dalim në shkollën e re. Ashtu shkojnë në tualete, kanë të ftohtë por kështu e kemi. Prej fillimit e kemi pasur kështu, pra nuk kanë qenë mirë të planifikuara”, deklaron Raçi.
Arsimtari i biologjisë, Ramiz Loshi, thotë se nxënësit kanë filluar të shfaqin agresivitet pasi nuk po kanë ku të shprehin energjinë e tyre.
“Shkolla jonë dikur kishte 700 nxënës ndërsa tani ka rënë ky numër. Kushtet që i kemi pasur më parë kanë qenë më të mira sesa tani kur kemi shpresuar që shkolla filloi të ndërtohej dhe siç e dimë ne, se ka pasur një kontratë trevjeçare dhe kemi shpresuar që kjo gjeneratë do të arrijë të ketë një ambient shumë më të mirë por kanë ngecur punimet. Nuk po shihet diçka se është duke u ndërmarrë, por në këtë shkollë nxënësit kanë filluar të shprehin agresivitet pasi nuk kanë fusha sportive, nuk kanë ku ta shprehin energjinë e tyre që donë ta lirojnë. Kanë aktivitet vetëm vajtje-ardhje në shtëpi. Lëvizin nëpër një korridor të ngushtë, s’kanë as lojëra, këtu nuk ka renovime më, sepse po thonë se do të kalojmë në shkollën e re por ne nuk po shohim ndonjë përparim”, thotë Loshi.
Ai shpreson se mungesa e kushteve të duhura, nuk do të reflektojë për të keq në të ardhmen e tyre.
“Nuk kemi mundësi dhe kushte t’i joshim këta më mirë për të pasur një mësimnxënie më kualitative. Nuk e gjejnë mirë veten në këtë ambient. Disa nuk hapen fare, në disa dritare rrjedh uji. Ambienti rreth shkollës është i rëndë. Shpresojmë që këto gjenerata nuk do të kenë një imazh të keq kur të vazhdojnë studimet”, thekson Loshi.
Në këtë shkollë ndjekin mësimin 200 nxënës. Përveç nga fshati Vraniq, aty vijojnë mësimet edhe nxënës të fshatrave Budakovë e Populak.