SOT

Servete Uka, mësimdhënësja e dalluar e shkollës “Pavarësia”

Edhe pse dëshira e saj e hershme ishte të studionte mjekësinë, pasi nuk arriti të pranohej në degën që dëshironte, Servete Uka nuk e humbi lidhjen me lëndët shkencore dhe e orientoi veten drejt kimisë.

Sot, pas rreth 30 vjetësh, ajo vazhdon të ushtrojë profesionin e mësimdhënies, të cilin e konsideron më shumë si një mision sesa një profesion.

Ajo, në çdo orë mësimore, mundohet ta thjeshtësojë secilën temë që diskutohet, duke i ndihmuar nxënësit të familjarizohen me çdo koncept që u shpjegohet.

“Janë shumë vjet në arsim, kanë kaluar diku 30 vjet, e në shkollën ‘Pavarësia’ është viti i 17-të këtu, kam punuar më herët në shkollën e mesme të lartë, e pastaj kalova në shkollën e mesme të ulët. Si çdo dëshirë e prindërit, edhe të mitë kanë dashur të kyçem në mjekësi, u regjistrova por isha e 3-të në listën e të papranuarve, e që të mos shkëputem shkova në kimi dhe aty u pranova. Nëse e do një profesion ose punë nuk ka pendesë, unë nuk kam dashur fillimisht kiminë por më pas ishte profesion që e mësova dhe ishte për mua. Mësimdhënia nuk është punë, por mision, nxënësit janë fëmijët tanë në shkollë dhe ndajmë gjithçka bashkë, gjitha problemet, gëzimet e hallet”, thotë Uka.

Mësimdhënësja Uka tregon se vazhdon ende të takohet me ish-nxënësit e saj, të cilët e bëjnë shumë krenare, duke i ndarë me të arritjet që kanë realizuar falë përkushtimit të saj si mësimdhënëse.
“Suksesi im i madh vërehet më vonë, e jo tani. Suksesin e vërej kush shoh ish-nxënësit e mi që lavdërohen kudo që shkojnë, pra janë rezultate që shihen më vonë, përshëndetjet e tyre, takimet e kafet bashkë me ta, këto janë vlerësime për mua. Gjeneratën e parë në këtë shkollë i kam dashur si fëmijët e mi, kam qenë kujdestare e klasës, ende vazhdojmë dhe takohemi, ata janë mjek, inxhinier e në profesione të ndryshme”, deklaron Uka.

Ajo në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë ka disa vjet që nderohet me mirënjohje si mësimdhënësja më e dalluar, duke shtuar se kjo vjen si rezultat i arritjeve të nxënësve që kanë marrë në gara rajonale dhe kombëtare si më të mirët në lëndën e kimisë.

“Shkolla jonë ka numër të madh të nxënësve në klasë, e mungesa e laboratorit e lë lëndën gjysmake, edhe pse në kushte të klasës mundohem të ia bëj sa më të lehtë, por tjetër është kur janë kushtet. Shumica mendojnë se me 4-5 orë puna jonë përfundon, por në fakt është e kundërta, zgjatë edhe pasi të shkojmë në shtëpi, mendojmë se çka duhet ndryshuar, çka duhet përgatitur për nesër. Mirënjohjet janë të shpeshta në shkollën tonë, unë disa herë jam zgjedhur si më e dalluara, por janë rezultatet e nxënësve të mi që më bëjnë të jem e tillë”, thekson Uka.

Sipas saj, shkollat në vend duhet patjetër të pajisen me kabinete dhe laboratorë, në mënyrë që nxënësit të kenë mundësinë të zhvillojnë praktikën dhe të kuptojnë më mirë lëndën. Ajo gjithashtu thekson se mungesa e mundësive për punësim në të ardhmen e pengon gjeneratën e re të zgjedhë kiminë si drejtim për studime.

“Duhet shteti të bëj më shumë dhe lëndët e shkencave të jenë më prioritet dhe nxënësit më pas ta duan për studim, unë mundohem të bëj sa më praktike orën dhe me shembuj të thjeshtë. Mungesa e kabineteve është një arsye pse nuk zgjedhin të studiojnë, por edhe punësimi i tyre, sepse përpos arsimit nuk kanë ku të punësohen nëpër fabrika apo laboratorë ashtu edhe unë e kam menduar që veç në arsim më pret e ardhmja”, deklaron Uka.

Aroma Durmishi, nxënëse e klasës së 9-të, shprehet se mësimdhënësja Uka është ndër të preferuarat e saj. Nxënësja shton se Uka ka qenë një shtysë që ajo të mendojë edhe profesionin e së ardhmes së saj, atë për neurokirurgji.

“Tash jemi duke mbajt lëndën e kimisë, arsimtarja më ka ndihmuar shumë, në klasën e 7-të nuk kam qenë e mirë në këtë lëndë por me ndihmën e mësimdhënëses tani jam shembullore. Kimia është një ndër lëndët e mia të preferuara dhe lidhet me profesionin tim të së ardhmes si neurokirurgjia”, thekson Durmishi.

Dita e Mësuesit është një nga datat që nderon ata që kanë kontribuar në arsimimin dhe formimin e brezave të rinj. Zakonisht, takimet e para me mësimdhënësit në këtë ditë shoqërohen duke u dhuruar lule, si shenjë mirënjohjeje për gjithë mundin dhe përkushtimin që ata ofrojnë.