Sadije Ademi dikur njihej vetëm si rrobaqepëse, ndërsa tash është shumë e zonja edhe si kreatore e fustaneve elegante.
Ajo këtë zanat e ushtron qe 12 vjet, kurse lokalin e saj në qendër të Prishtinës e ka hapur para pesë vjetësh.
Në kohën kur ajo nisi të merrej me këtë profesion, tregon se e kishte pasur më të vështirë ta mësonte dhe ushtronte profesionin e rrobaqepësisë.
Thotë se gjeneratat e reja kanë mundësi të shumta për ta mësuar zanatin nga kurset e shkollat e ndryshme.
Pasioni për punën e ka bërë atë që të udhëtojë çdo ditë nga Fushë-Kosova për te lokali i saj në kryeqytet.
Ajo ka punësuar dy punëtore, të cilave thotë se ua ka mësuar zanatin.
Sadije Ademi punon gjithçka që ka të bëjë me rrobaqepësinë.
Gjatë ditës thotë se pranon deri në pesë porosi, ka ditë më shumë se kaq, por ka ditë edhe më pak.
Përmend se në muajt e dimrit ka punë më pak krahasuar me muajt e verës.
Sipas të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë ( ARBK), ekzistojnë 96,995 biznese aktive që nga marsi 2023. Prej tyre, 78.7% janë në pronësi të burrave, 18% janë në pronësi të grave, 2.3% janë në bashkëpronësi të të paktën një gruaje, ndërsa për 1% gjinia e pronarit apo pronares nuk dihet.