SOT

Rrugëtimi në muzikë i motrave Susuri nga Prizreni

Riola dhe Rajana Susuri janë dy motra nga fshati Zhur i Prizrenit, të cilat për pasion e kanë muzikën. 

Kanë zgjedhur t’i ndjekin ëndrrat e tyre. Riola luan në piano, ndërsa Rajana në violinë.  

Pianisten tingujt e pianos e kanë përcjellë që nga mosha 4-vjeçare. Për shkollim të mesëm ka zgjedhur atë të muzikës, drejtimin e pianos.

Si e vogël edhe ka kënduar, por instrumenti i pianos gjithmonë ka qenë më i preferuari për të.  

Në piano Riola luan edhe këngë patriotike. 

“Rrugëtimi im me piano ka filluar që nga mosha 4-vjeçare, jam inspiruar nga nja familjar i imi dhe me dëshirën më të madhe për piano u kam kërkuar prindërve që t’i filloj mësimet edhe unë. Pra, qe 11 vjet unë luaj me piano”, thotë Riola.

Ndër veprat e shumta që ajo ka luajtur, tregon se më me qejf i ka ato shqiptare.

“Kam luajtur shumë vepra, por më të pëlqyerat për mua janë veprat shqiptare me kompozitorë shqiptarë. Por edhe klasikja nga artistë të mëdhenj, siç është Mozarti. Pianoja ka me qenë edhe profesion për mua, veten e shoh si pianiste gjithmonë”, tregon Riola.

Riola gjatë karrierës së saj artistike është shpërblyer me disa çmime të rëndësishme brenda dhe jashtë Kosovës. 

Njëra prej garave më të rëndësishme thotë se u zhvillua në Ukrainë.

“Deri tash kam marrë pjesë në gara e koncerte të shumta. Gjatë kohës së pandemisë e kam mbajtur koncertin tim recital në Kino Lumbardhi. Kam marrë pjesë në koncerte që janë mbajtur në Ferizaj, koncertet e shkollës, Prishtinë. Kam marrë pjesë edhe në gara ku jam shpërblyer me çmime të mira. Kam marrë pjesë me koncerte edhe në Zvicër, Ohër, Gjermani, pra gara kombëtare dhe ndërkombëtare. Në mesin e 30 shteteve të botës jam munduar që ta përfaqësoj Kosovën në mënyrën më të dinjitetshme. Prej garave më të rëndësishme që kam marrë pjesë ka qenë ajo në Ukrainë. E dimë që si shtet nuk na njeh, përsëri unë kam dalë fituese e festivalit me çmim të parë dhe si laurate e festivalit. Pastaj kam marrë edhe një çmim në “Mema festival” në Durrës, edhe aty kam fituar çmim të parë”, tregon Riola. 

Sukseset e motrës së madhe po e përcjellin edhe Rajanën. Ajo vijon mësimet në klasën e pestë në shkollën fillore, në fshatin ku ajo jeton, ndërsa është në klasë të katërt në shkollë të muzikës.   

“Violina më ka pëlqyer, sepse është instrumenti më i mirë prej të tjerave. Në violinë duhet më shumë të ushtrosh sesa në instrumente të tjera. Muzika më pëlqen dhe violina më përshtatet më së shumti. Kur të rritem dua të bëhem violiniste dhe nuk do ta ndryshoj”, thotë Rajana. 

Arian Shala është mësimdhënës në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren.

Si mësues i Rajanës, në instrumentin e violinës, thotë se 10-vjeçarja përveç talentit është edhe shumë e përkushtuar. 

“Rajana është një nxënëse shumë e mirë, ushtron vazhdimisht. Krahas talentit që ka nuk i mungon as puna. Më ka premtuar që të ardhmen do të punojë edhe më tepër. Shpresoj që të jetë nxënëse e përhershme e shkollës sonë”, thotë ai. “Ne e mbajmë dy herë në javë nga 30 minuta orën e mësimit. Përveç violinës kjo vazhdon edhe në lëndën e solfegjos, që i bie 3 herë në javë të jetë në shkollë. Ky orar nuk është fiks, pasi që kur kem koncerte që janë të shpeshta në shkollën tonë e zgjasim orarin e ushtrimeve. Kjo, për arsye që të dal sa më mirë në koncerte që organizon shkolla apo edhe të tjera”, shton Shala.  

Motrat Susuri treguan se kanë synime të mëdha për karrierën e tyre si instrumentiste.