Tregu i punës besojnë nxënësit është më i lehtë pas përgatitjes në shkolla profesionale. Kjo duket të jetë arsyeja e interesimit të nxënësve për shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi”, në Prishtinë. Kjo shkollë ka pranuar numër më të madh të nxënësve për t’i ndjekur mësimet në drejtime të ndryshme që posedon
Floktaria, estetika, instalues i ujësjellësit, ngrohjes dhe klimatizimit, si dhe automekanik janë ndër drejtimet më të kërkuara sivjet në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi” të kryeqytetit.
Kjo shkollë ka katër drejtime kryesore ku përfshihen 13 fusha të ndryshme. Drejtori i shkollës Blerim Gërvalla tregon se sivjet numri i nxënësve është rritur për 10%. Thotë se në secilin drejtim është dyfishuar numri i nxënësve. Gjithsej janë regjistruar 35% vajza dhe 65% djem. Arsyeja duket të jetë përgatitja për tregun e punës.
“Vitin shkollor 2024-25 kem pranuar deri më tani 420 nxënës në 16 paralele. Shkolla jonë ka katër drejtime në kuadër të këtyre katër drejtimeve i kem 13 profile. Profilet në kuadër të fushës së makinerisë janë metal punues, dirigjimit kompjuterik i makinave, mekatronikë, automekanik, instalues i ujësjellësit, ngrohjes dhe klimatizimit. Te fusha e tekstilit e kem konfesionerin dhe rrobaqepësinë. Te fusha e shërbimeve e kem profilin e floktarit dhe estetikës. Fusha e transportit dhe trafikut përfshinë profilet trafik rrugorë, transport rrugor, drejtues i trenave dhe këtë vit kem hapur operator hekurudhor”, tha Gërvalla.
Gërvalla thotë se çdo vit po ballafaqohen me numër të madh të nxënësve, ndërsa kërkon që shkolla të zhvendoset diku në periferi të Prishtinës dhe të ketë hapësirë më të madhe. Kjo për shkak që të kenë mundësi të pranojnë edhe më shumë nxënës sa janë kërkesat e tyre për t’u regjistruar.
“Unë besoj që do të ishte mirë me mëndu institucionet për një objekt të ri të shkollës diku në periferi të qytetit. Sepse shkolla është e vjetër dhe hapësirat mungojnë. Mirëmbajtja është në rregull por mungon arkitektura për një shkollë. Nuk i plotëson kushtet e një shkolle nuk ka korridore, klasat nuk janë shumë të mëdha. Numrin e pajisjeve e kem shumë të mëdha falë donacioneve por kur po mungojnë hapësirat e shkollës po kem vështirshi që këto pajisje t’i shfrytëzojmë. Në planin afat mesëm ka qenë mirë që me trendin e rritjes së numrit të nxënësve të zhvendoset në periferi”, tha ai.
Mal Sahiti nga Prishtina sapo ka nisur klasën e 10-të. Ka zgjedhur drejtimin instalues i ujësjellësit, ngrohjes dhe klimatizimit. Thotë se më lehtë do të gjej punë me këtë profesion.
“Këtë zanat e kam zgjedh sepse më shumë prindërit kanë dashtë, por edhe mua më ka pëlqyer ky zanat po më duket i përshtatshëm”, tha Sahiti.
Melisa Restelica, është një tjetër nxënëse e cila ka zgjedhur profilin që gjithmonë ka dashur. Të ardhmen e sheh veten në një atelie të sajën duke dizajnuar fustane elegante.
“Këtë profesion e kem traditë familjare me mamin punojmë më fustane, vello. Ka edhe shkolla të tjera por jam koncentruar vetëm te ky profesion ndoshta më shkon mirë e mundem me hap një biznes timin”, tha Restelica.
Loris Karrica dhe Rinesa Sadiku, të dy kanë zgjedhur floktarinë, si drejtim për t’i ndjekur mësimet.
Pasioni që kanë për këtë zanat i ka shtyrë që të mos i zgjedhin gjimnazet por shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi”.
“Këtë drejtim e kam zgjedhur sepse më ka pëlqyer, kam mundur me shkuar gjimnaz apo shkolla të tjera por kam zgjedhur këtë drejtim”, tha ai.
“Që e vogël më ka pëlqyer profesioni i floktarisë. Të ardhmen e shoh vetën me hap një sallon timin. Për ata nxënës që i kanë notat e mira nuk ka rendësi nëse vijnë edhe në shkolla profesionale”, tha Sadiku.
Në drejtimin e mekatronikës të pakta janë vajzat. Këtë vit është rritur numri i tyre. Njëra nga to është Omela Fuga. Thotë se është drejtimi që ajo më së shumti e pëlqen.
“Kam zgjedhur drejtimin e mekatronikes. Arsyeja pse e kam zgjedhur është sepse nuk ka shumë vajza që e zgjedhin këtë drejtim dhe më pëlqen shumë. Te shkollat profesionale mund të zgjedhësh çka donë ku ke më shumë pasion për ndonjë drejtim. Unë kam pasur mundësi ta zgjedh edhe gjimnazin por e kam zgjedh këtë drejtim”, tha Fuga.
Teksa numri i nxënësve në shkollat profesionale viteve të fundit është në rritje, infrastruktura e shkollave dhe kushtet për mbarëvajtjen e mësimit në to kanë nevojë për përmirësim.