Afrim Gjeli, gjithmonë është i gatshëm t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.
Ai tash është udhëheqës i Brigadës së Zjarrfikësve në Drenas, por e ka nisur punën 22 vjet më parë si shofer i zjarrfikësve.
Thotë se e zgjodhi këtë profesion, sepse përmes tij do të mund ta përmbushte dëshirën për t’iu dalë në ndihmë kujtdo që ka nevojë.
“Më 5 dhjetor 2003 e kam nis punën. Fillimisht kam qenë shofer zjarrfikës e pastaj kam kryer shumë trajnime për t’u ngrit profesionalisht e gjithashtu e kam përfunduar edhe fakultetin për siguri publike. Me qenë zjarrfikës është punë tejet fisnike dhe humane, të cilën gjithmonë kam dashur ta bëjë pavarësisht se në çfarë intervenime të rrezikshme marrim pjesë”, thotë Gjeli.
Zjarrfikësit përfshihen në intervenime nga më të ndryshmet dhe rastet janë të natyrave të ndryshme.
Më të ndjeshmet mbeten ato kur jeta e qytetarit është në rrezik, e sidomos rastet kur përfundojnë me fatalitet.
Humbja e jetës së një familjeje të tërë nga një shpërthim në shtëpinë e tyre, ishte rasti më i vështirë në të gjitha vitet e punës si zjarrfikës.
“Ne kryejmë intervenime të natyrave të ndryshme përveç zjarreve, sepse për zjarre më thuajse dihet që i kemi dy ose tri në ditë. Fatmirësisht është rritë edhe shkalla e profesionalizmit në intervenimet tona. Raste të vështira janë ato të aksidenteve në komunikacion ku e kemi një shkallë të lartë të ndjeshmërisë derisa të arrijmë në vend të ngjarjes. Por rasti më i vështirë për mua në krejt këto vite punë ka qenë familja Berisha në Vasilevë, e cila ka përfunduar me fatalitet nga shpërthimi i plinit në shtëpinë e tyre”, tregon Gjeli.
Njësia e Shërbimit të Zjarrfikësve në Drenas, Gjeli thotë se ka nevojë për më shumë zjarrfikës. Ai kishte propozuar themelimin e njësisë të re në Komoran.
“Nëse flasim për veshjet personale të një zjarrfikësi në njësinë tonë nuk jemi keq, sepse furnizohemi çdo 5 vite me këto pajisje, por qëndrojmë shumë keq me numër të vogël të stafit. Mungojnë edhe 22 zjarrfikës në staf, që të operohet në bazë të rregullores, prandaj i lusim institucionet tona që të na trajtojnë më seriozisht. Unë para disa vitesh e kam bërë edhe një kërkesë që të vendoset një pikë e re në Komoran si pikë strategjike pasi që ndodhet në mes dhe mund t’i mbulojë të gjitha autostradat e Kosovës”, thotë Gjeli.
Gjeli po ashtu thotë se kjo njësi ka mungesë të automjeteve.
“Për ta kompletuar shërbimin që mundemi me e ofruar si njësi e zjarrfikësve, duhet t’i kemi edhe automjetet tjera. Duhet ta posedojmë një automjet komandues që i paraprinë automjeteve të reja, ta kemi një autocisternë pasi që kemi shumë vështirësi në furnizimin me ujë”, tregon Gjeli.
Rrëfimin e tij, udhëheqës i Brigadës së Zjarrfikësve në Drenas, Afrim Gjeli e përfundon me një kërkesë drejtuar shtetit - të merren më seriozisht me përmirësimin e kushteve të këtij komuniteti për shkak të rreziqeve që ndërmarrin për t’i shpëtuar qytetarët.