S.P. është një grua që ka kaluar 29 vjet martesë të mbushura me sfida, dhimbje e vendime të vështira.
Pas një periudhe të gjatë vuajtjesh, para gjashtë muajsh ajo vendosi të ndahej nga tashmë ish-bashkëshorti.
Ky vendim ia ndryshoi jetën përfundimisht, duke e futur në një udhëtim të ri si nënë vetushqyese, e ku çdo ditë përballet me sfida nga më të ndryshmet.
Por, në mes të këtyre vështirësive, ajo thotë se ka ndier gjithashtu një qetësi shpirtërore që nuk e kishte përjetuar më parë.
“29 vjet i kam martesë ndërsa që 6 muaj jam ndarë nga bashkëshorti. Kemi pasur probleme por edhe skamje gjithmonë. I kemi katër fëmijë, dy janë me mua ndërsa dy me ish-burrin. Probleme kemi pasur gjithmonë edhe kur u rritën fëmijët. Ai ka qenë i varur nga alkooli dhe ka ushtruar dhunë ndaj nesh, kjo më ka shtyrë edhe deri te ndarja me të. Pra është më mirë me skamje dhe me përgjegjësi që kam tash sesa të jetoj me një person që ka ushtruar dhunë në familje. Jam më rehat sepse fëmijët nuk po rriten në zënka, në probleme tonat. Edhe fëmijët tash janë më mirë prej që jam ndarë nga bashkëshorti. Zemra nuk ma ka dashtë të divorcohem por u dashtë sepse duke e parë që gratë po dhunohen fizikisht e po mbyten nga burrat dhunues, unë e kam marrë këtë vendim për të mos u bërë e madhe si problem”, thekson ajo.
Ndarja thotë se kishte një çmim të lartë. Por ajo vazhdon të luftojë çdo ditë për të siguruar jetesën për vete dhe fëmijët.
“Jam duke u përballur me një skamje të madhe nuk di çfarë të bëj, as nuk kam shpresa që për mua do të bëhet mirë. Për vete nuk e kam problem vetëm për fëmijë të rehatohen kjo është dëshira ime. Nuk po mundem me ia dalë, sot të ndihmon dikush por nuk është e sigurt që më ndihmon ndokush për nesër e tutje. Shumë vështirë është me qenë nënë vetushqyese edhe pse vetëm me dy fëmijë jemi sepse dy të mëdhenjtë i ka ish-burri. Është problem sepse për çdo gjë duhet vetë me u kujdes me ushqim, veshje, mbathje. Kam përjetuar gjithçka edhe skamje çdo herë, por kjo është më e rënda. Fëmijët vetëm nga unë i kanë sytë”, shton ajo.
Në ndihmë i del Qendra për Punë Sociale dhe Kryqi i Kuq. Përveç sfidave ekonomike, kjo nënë përballet edhe me probleme shëndetësore që e pengojnë të gjejë një punë të qëndrueshme. Ajo mbështetet te punët sporadike që arrin t’i bëjë, si pastrimi i shtëpive. Por, kjo del të mos jetë e mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet e përditshme.
“Ndihma prej qendrës dhe prej Kryqit të Kuq nga pak marr, edhe punoj kur të më thërrasin, zakonisht deri dy herë në muajt punoj, pastroj shtëpia. Punoj sa me marr ndonjë pare, e me ia dalë diqysh. Edhe me shëndet nuk jam bash mirë, nuk jam e aftë edhe për punësim të rregullt. Djalin e kam ende të ri edhe vajza është shumë e vogël. Kushtet duhen, banesa duhet të paguhet. Krejt këto janë mbi kokën time”, deklaron ajo.
Një nga barrët më të mëdha të jetës së saj është çështja e vendbanimit. Ajo jeton me qira dhe çdo muaj është një sfidë për të siguruar pagesën për qiranë dhe faturat e tjera, gjë që shpeshherë e lë pa gjumë.
“Pres prej shtetit me pasë një ndihmë sadopak. Problemin më të madh e kam te vendbanimi. Sepse muaji i tretë që jam me qira është edhe më i vështirë për mua. Qiraja por edhe rryma e shpenzime të tjera janë shumë për mua. Për shtëpi timen nuk shpresoj që mundem me realizu, por nëse mundet dikush në qira të më ndihmojë edhe në rrymë, se për tjerat disi ia dal. As gjumi nuk po më merr duke e menduar që muaji po vjen shpejt dhe po duhet me pagu. Qiranë e paguaj 180 euro në muaj, por kam edhe shpenzime të tjera 40 euro rryma e të tjera”, thotë ajo.
Sipas Zyrës Civile në Komunën e Prishtinës, gjatë vitit 2024 janë realizuar 1,595 kurora dhe 147 shkurorëzime. Ndërsa vetëm në muajin janar në Komunën e Prishtinës janë shkurorëzuar 14 çifte.
Sipas Qendrës për Punë Sociale, në Prishtinë janë regjistruar 23 gra - nëna vetushqyese që marrin mbështetje financiare e sociale.