SOT

Rrëfimi i 81-vjeçarit që e pa rrethimin e sulmin ndaj familjes Jashari

Luftën 3 ditëshe të familjes Jashari, nga larg e kanë përjetuar edhe bashkëfshatarët e tyre. 80 vjeçari, Ferat Ymeri, tregon për momentin kur për herë të fundit ka takuar, Hamëz Jasharin dhe se çfarë i ka rrëfyer ai

“S’kish gjë më kiamet se me i pa duke u vra, e mos me pas mundësi me iu ndihmua”. Këto janë disa nga fjalët e Ferat Ymerit, nga Prekazi i Epërm, kur rrëfen për ngjarjen makabre që ndodhi ndaj familjes Jashari në vitin 1998.

Ai së bashku me bashkëfshatarët e tjerë, sulmin e ushtrisë serbe ndaj komandantit, Adem Jashari dhe familjes së tij, e panë nga shtëpitë e tyre.

81-vjeçari, thotë se përkundër tentimeve, askush nuk arriti të afrohet për të iu ndihmuar, gjatë tre ditëve sulm që është bërë ndaj tyre.

“Jo askush, vetëm familja, askush s’ka mund t’i afrohet se ka qenë 4fish e rrethuar, kanë ardhur nga 2 prej Vushtrrisë kanë gjuajtur prej kodre atje nja dy herë edhe asgjë hiq. Askush s’kemi mund të vijmë këtu. Nuk e di edhe pse edhe sot na dalin lot kur s’na u kanë shterur atëherë se s’kishte asgjë më kiamet se ta shohim duke u vrit, duke u digj, duke u piq, e ne të mos mundemi të vijmë e ne armën e kishim në dorë. Kemi mund të ia mësynim edhe të binim në pritë e të vriteshim edhe ne”, thekson ai.

Ymeri rrëfen momentin kur ai me disa banorë të tjerë të fshatit ishin nisur për t’i dalë në ndihmë familjes Jashari.

“Ne nëpër shtëpi kemi qenë se ka qenë e pamundur të afrohemi dhe të u ndihmojmë. Kanë ardhur edhe aktivistë prej Prishtinës, kanë bërë edhe incizim, ndoshta e vetmja shtëpi që është gjuajtur atë ditë ka qenë edhe shtëpia ime, ditën e parë. Gjithë kohës kam qenë duke i përcjellë me dylbi. U bënte këtu tym e kiamet thoshim një shtëpi mbi tokë s’do të mbes, kur u hiqte tymi, kemi parë që shtëpitë përsëri kanë mbet. Nuk e dinim se çfarë po ndodh. Dy nipa të Jasharëve kanë tentuar të vijnë t’u ndihmojnë i kanë gjuajt, njërin e kanë vra, tjetrin e kanë plagos. Kam thënë se kur të bjerë mbrëmje i gjallë e i vdekur do të hyjmë te Jashart. E kam marrë vëllain dhe nja 8-9 të tjerë ia kemi mësy të vijmë. Mbi lagjen Meha, aty kishte qenë lagjja plot me njerëz tonë. Më thanë ku po shkon Ferat, thashë po shkojmë të u ndihmojmë. Më thanë nuk mundeni të shkoni, vetëm po doni të vriteni, se rrethimi është i hekurt, 4 rendësh. Njëri më tha a donë t’i marrë në qaf të gjithë a? I thashë po thuama, pse? I kthyem armët gati luftuam mes veti. Na tregoi njëri që bash andej ka po shkojmë ne janë policia në pritë. Jemi kthyer, kemi përgatitur një kerr e me kali. Atë natë nuk patëm mundësi të afrohemi hiq”, deklaron Ymeri.

Ai tregon edhe për takimin e fundit që kishte pasur me familjen Jashari dhe çfarë i kishte thënë Hamëz Jashari.

“Kur kam ardhur te Kulla, këtu kishte qenë Hamëz Jashari, mixha Shaban kishte qenë në dritare lart, unë isha me motrën dhe i thashë asaj ec pak qanej. I thashë unë i pashë dy automjete të rënda duke hyrë në fabrikën e municionit, mezi u ngjitën. Më duket se donë të ju rrethojnë, keni kujdes. Hamëza tha se na lajmëroi edhe dikush. I thashë largohuni dikur, mos rrini në shtëpi. E Hamza më tha truq, vallahi nuk do të ikim askund por do të qëndrojmë këtu deri në vdekje, i thash mos bre Hamëz mos fol kështu, pse të vdisni më mirë i gjallë se i vdekur. Tha na kanë ardhur në maje të hundës shkiet. Nuk më la t’i them asgjë tjetër veç Zoti të shpërbleftë për sakrificën, i thashë po largoni gratë e fëmijët, tha po thonë gratë që nuk donë të rrënojmë pa juve, e fëmija po thonë qysh me jetua pa prind. Atëherë nuk kam mund t’i mbajmë lotët. Me lot në sy kam ec. Dy ditë para se me ndodh ajo. Është hera e fundit që i kam parë, pastaj i kam pa si kufoma”, thekson ai.

Vetë Ymeri, tregon se gjatë luftës kishte arritur të bënte përgjime të policisë serbe përmes një televizori. Ato i kishin shërbyer shpeshherë për t’i paralajmëruar ata që ishin më të kërkuarit nga ta.

“Prej viteve 90, njëri ma fali një televizor francez dhe ai i nxinte valët e policisë në relacionin Prizren-Mitrovicë sikur të i përgjojmë me telefon. Ku e shifsha rastin që duhet të lajmëroj, i lajmërofsha, ku u frikësofsha që mund të zbulohem, jo. Atë televizor ma pat falë njëri dhe e kam përdor krejt kohën. Kur në shkollë e rrethuan dhe donin t’i nxinin 40 burra të Prekazit, pasi ata shkuan aty të bisedonin se çfarë do të bënin aty, unë ua qova lajmin ikni se donë të ju zënë. Tamam janë shpërnda këta, policia ka mbërri aty, dy i patën zënë. Atë ditë e kanë marrë edhe familjen Jashari, i kanë malltretuar shumë sidomos edhe axhën Shaban. Përgjimi ka qenë shumë  i mirë se ku e dija që po rrezikohen, ju tregofsha. Sidomos në atë kohë më së shumti e kërkonin Adem Jasharin, Sabit Gecin, Jakup Nurën, Lushtakt, Saminë, Ilaz Kodrën dhe kështu ajo pajisje më ka ndihmuar shumë për t’i paralajmëruar”, deklaron Ymeri.

Tani, historia e familjes Jashari po përcillet nëpër breza të rinj edhe përmes vizitave të shumta që po bëhen nga kopshtet e shkollat e Kosovës.