Festat e fundvitit për çdo vit në kryeqytet sjellin tregun e fundvitit “Verë n’Dimër” e që edhe këtë vit mbahet në sheshin “Xhorxh Bush” dhe do të jetë i hapur deri në ditët e para të janarit.
Për shkak të interesimit të madh, zgjedhja e përfituesve është bërë më short.
“Për ne është hera e parë që jemi përfitues në tregun e fundvitit, e konkursi ka qenë publik dhe me short kemi qenë përfitues. Ne si kioskë e buzëqeshjes presim ta kemi një vit të mbarë dhe të ofrojmë shumë gjëra të mira për konsumatorët të shoqëruar me buzëqeshje. Tek ne do të ketë pije alkoolike, joalkoolike, verë të vluar, çokollatë e kafe të shijshme, por edhe gështenja e hotdog”, thotë Ardian Hoxha, përfaqësues i njërit nga bizneset.
E klientët përpos që do të kenë mundësinë të argëtohen me atmosferën, çmimet në “Verë n’dimër” do të jenë edhe më të lira sesa brenda në lokale.
“Do të kemi çmime standarde, më të lira se sa në lokale, ne të gjithë në treg do të kemi çmime të njëjta nuk do të ketë diferencime, por ende nuk kemi një çmimore të përbashkët por së shpejti do mblidhemi bashkë, por do të mundohemi t’i kemi sa më të lira”, shton Hoxha.
Laramania e pijeve të ngrohta janë ato të cilat më së shumti kërkohen nga klientët, e as koktejet nuk mungojnë, në veçanti më e kërkuara mbetet vera e vluar që ofrohet me përbërës e shije të ndryshme.
“Ne kemi qenë edhe viteve të kaluara pjesë e “Verë n’Dimër”, shërbejmë pije e kulturë në tregun e krishtlindjeve, ne karakterizohemi për kokteje të ndryshme, po ashtu edhe për verën e vluar e cila është më e veçantë me shije të kanellës dhe është shumë e shëndetshme”, tregon Jona Geci, nga një biznes tjetër.
Në kohën e pauzës dhe në mbrëmje shtohet edhe më tej fluksi i atyre që duan të pinë dhe të argëtohen pranë shtëpizave.
“Në bazë të inflacionit ndoshta do të kemi pak ngritje të çmimit se sa viteve të kaluara, por kësaj here e kemi pasuruar menynë edhe më shumë me produkte të ndryshme dhe presim të kemi kohë të mirë me diell e sa më shumë klientë”, thotë Geci.
Këtë vit janë 64 biznese që do të operojnë në tregun e fundvitit, e të cilat do të punojnë çdo ditë duke filluar prej orës 10:00 deri në orën 24:00, por në datat 24 dhjetor, 31 dhjetor dhe 1 janar orarin do ta kenë më të zgjatur, ku do të punohet deri në orën 03:00 të mesnatës.