SOT

Rëndohet shporta e qytetarit për fundvit

Festat e fundvitit janë periudhat kur qytetarët mundohen të kenë një tryezë sa më të plotë festive.

Përderisa më parë një tavolinë e fundvitit është përgatitur me një çmim më të ulët, sivjet konsumatorëve po u kushton më shumë shporta e fundvitit.

Përkundër zbritjeve që paralajmërohen në dyqane të shumta, janë qytetarët ata që thonë se çmimet e produkteve ushqimore janë shumë të larta.

Të njëjtin mendim e ka edhe një mërgimtar, i cili supozon se një gjë e tillë po ndodh për shkak se kjo është periudha kur ata vijnë për pushime në Kosovë.

“Kur po vijmë ne mërgimtarët këtu në Kosovë nëpër dyqane po i rrisin çmimet. Pra mua më ka ndodhur që të vij edhe jashtë sezonit dhe i kam parë që janë më të ulëta çmimet se gjatë verës apo edhe gjatë dimrit kur vijmë ne”, tha një mërgimtar.

Një mërgimtar tjetër thotë se përveç çmimeve të larta, ata për çdo fundvit gjërat ushqimore i sjellin nga Zvicra edhe për shkaqe sigurie.

“Unë vij çdo fundvit në Kosovë dhe këtu e përgatis mishin e suxhukun vetë. E blej mishin ku e di që është më i sigurt. Përveç çmimeve të larta, unë nuk kam besim edhe në cilësi, prandaj sa herë që vij në Kosovë, harxhin e marrim nga Zvicra e këtu nuk blejmë”, tha ai.

Ekonomisti Jakup Bellaqa thotë se shporta e konsumatorit po përkeqësohet nga viti në vit, dhe se çmimi i produkteve bazike janë më të larta se në vendet evropiane.

“Ka qenë për produktet elementare jetësore siç janë kategoritë e varfra që t’i blejnë ato produkte por nuk është jetësuar dhe janë caktuar çmimet tavan dhe dysheme, pra duhet të ketë çmime të tregut dhe jo të mbitregut, sepse përkeqësohet shporta e konsumatorit. Inspektorati duhej të intervenonte në terren në mënyrë që ku ka çmime më të larta se tregu, do të duhej të intervenonin. Çmimet e produkteve bazike nuk janë të njëjta nga marketi në market dhe kjo është e paqartë dhe tregon se ka çrregullim të tregut do të duhej të ketë politika më të detajuar dhe të ketë më shumë kontrolle. Ekonomia duhet të rregullohet”, tha Bellaqa.

Sipas tij, Kosova është ndikuar më së shumti nga inflacioni se shtete të tjera të Rajonit.

“Në bazë të institucioneve kredibile për shembull eurostati, ekonomitë e rajonit e kanë inflacionin më të lartë se sa Kosova, por ne jemi një ekonomi më e vogël më e ndjeshme dhe të gjithë të tjerët kanë import më të vogël se Kosova. Te ne, çdo i dyti biznes kërkon punëtor përderisa shumë të rinj dhe të reja te ne e lëshojnë Kosovën”, tha Bellaqa.

Të njëjtën gjë e thotë edhe Selatin Kaçaniku, nga organizata për mbrojtjen e konsumatorëve “Konsumatori”, duke shtuar se janë bërë dekada që Qeveria nuk po merr masa për këtë gjë.

“Familjes konsumator i është trashur lëkura. Sikur nuk ka më ndjenja për çmime. Janë bërë dekada që askush nuk brengoset e nuk bën politika për qytetarin konsumator dhe aq më keq nëse kemi parasysh faktin se çdo qytetar konsumator është konsumator taksapagues dhe si i tillë është gjenerues kryesor që e financon shtetin, e financon edhe Qeverinë e Parlamentin edhe këto të dyja në mirëbesim ua jep në menaxhim buxhetin. Askush pra s’kujdeset për konsumatorin. Kjo është një mangësi e legjislaturave qeveritare që ne në zgjedhjet e ardhshme të bëjmë më të mirën e mundshme dhe të mos i lejojmë të na bëjnë mashtrime, të cilat janë të përafërta me gënjeshtrën, premtime që faktikisht i bie si fjala popullore që të çon te kroi e të kthen pa pirë ujë. Ne deri më tani kemi pasur qeverisje të tillë”, tha Kaçaniku,

Kaçaniku shton se nevojat e një familjeje mesatare mujore janë mesatarisht 1150 euro, ndërsa në përgjithësi familjet e Kosovës e kanë vetëm 1/3 e tyre.

“Një hulumtim thotë se nevojat e një familjeje 4-5 anëtarëshe për të përballuar vetveten janë 1150 euro, por ne realisht e kemi 1/3 kush e ka, e ne si pensionistë jetojmë me 100 euro. Ne nuk kemi për të pasur 1 bukë për kokë të konsumatorit në ditë, ndoshta edhe më pak. Këto shifra janë brengose dhe dëshmojnë paralajmërimin që iu kam bërë qeverive se rrezikohet falimentimi i qytetarit konsumator të ashtuquajtur të varfër prej 30 për qind dhe 1 e treta prej tyre ishte në varfëri të skajshme. Do të thotë falimentimi tani ka ndodhur. Nëse vazhdojnë qeveritë në këtë mënyrë do të ndodhë edhe falimentimi që prek shtresën e mesme. Si për shembull ju gazetarët edhe ju sot e tutje jeni te rrezikuar të falimentoni, sepse falimentimi e ka domethënien e njëjtë sikur bizneset. Për shembull, kur një familje, një biznes nuk mund ta mbajë vetveten në mënyrë të dinjitetshme, atëherë ai ka falimentuar”, tha Kaçaniku.

Sa u përket zbritjeve, Kaçaniku thotë se shpeshherë ato janë larg reales.

“Ka edhe ulje reale, por edhe uljet reale mund të jenë me bisht. Nuk janë ulje reale ato që janë nën substancën e çmimit. Nëse ecën nën substancën e çmimit atëherë e prishin tregun shkaktojnë konkurrencë jolojale. Konkurrenca jolojale shkaktohet me subvencione e donacione, por edhe me ulje jo reale nën çmimin prodhues. Por ja që ne nuk kemi inspektime. ATK nuk shfaqet si institucion nëpërmes inspeksioneve ata e kanë obligim të përcjellin tregun për abuzimin me financa. Abuzimin me mjete fiskale. Ajo duhet të hyjë në librat e furnizimit dhe të ketë një balancë të çmimit. Nëse ofrohet zbritje 70 për qind, atëherë dijeni se nuk është çmimi real”, tha Kaçaniku.

Përderisa pjesa më e madhe e popullit po përballet me vështirësi, Kaçaniku shton se janë klasa politike ato që po pasurohen.