SOT

Rëndësia e psikologut shkollor

Që në orët e mëngjesit nxënësit e shkollës “Nexhmi Mustafa” në Besi mund të takojnë psikologun Betim Bregovina.

Ai punon në këtë shkollë që prej dy vjetësh dhe në zyrën e tij pret nxënësit për konsultime të ndryshme.

Dy nxënëset, Hira dhe Olsa, janë në mesin e nxënëseve të shkollës që mund të konsultohen lirshëm me psikologun.

Bregovina i këshillon nxënësit jo vetëm për mësimet, por edhe për shqetësimet që mund të lidhen me fazën e tyre të adoleshencës.

“Sa herë që kam ngarkesa në mësime ose edhe ndonjë shqetësim timin personal pa menduar vij te psikologu edhe lirohem plotësisht sa herë flas me të. Madje ndonjëherë edhe mos me pas diçka shumë të rëndësishme me e nda me të, vij edhe bëjë biseda të lira, sepse e konsideroj edhe si shok”, thekson Hira.

“Unë do t’u thosha krejt bashkëmoshatarëve që me fol me psikolog, sepse është gjëja më e mirë që ka mundur të kemi në shkollë. Për vete vij dy tre herë në javë. Ndonjëherë i flas për vështirësitë në mësime, ndonjëherë për problemet e mia personale”, shton Olsa. 

Psikologu Bregovina është i kënaqur me vizitat e nxënësve, por thotë se krahasuar me numrin e nxënësve në shkollë numri i takimeve është ende i ulët.

“Janë bërë dy vite prej se jam këtu në stafin e shkollës ‘Nexhmi Mustafa’ në Besi. Pritja ka qenë jashtëzakonisht e mirë nga stafi, po nëse flas për pritshmëritë e mia si psikolog, ende nuk i kam përmbush. Sepse po e llogaris në shkollë janë rreth 500 nxënës, andaj ka nevojë për më shumë takime me nxënësit, për më shumë konsulta me ta”, thekson Bregovina.

Sipas psikologut, më shumë kërkesa për këshilla vijnë nga nxënësit e ciklit të mesëm të ulët.
Në këtë moshë ndryshimet hormonale shkaktojnë luhatje emocionale dhe shumë nxënës preferojnë të flasin për tema private me psikologun.

Ai gjithashtu këshillon prindërit që të jenë më të hapur dhe të flasin më shpesh me fëmijët e tyre.

“Ka prej tyre që tash kanë fazën e adoleshencës e është problem për ta për shkak të gjendjes emocionale të tyre. Tash nxënësit e ciklit të klasëve 6-9 nisin të kenë ndryshime në hormone, andaj pos mësimeve ata kërkojnë të flasin për pëlqimet që mund të kenë, për privatësinë e tyre, për problemet familjare ndonjëherë e kështu me radhë. Andaj kërkoj nga prindërit që të kenë shumë kujdes me ta në këtë moshë e të flasin më shpesh me ta në shtëpi”, shton Bregovina.

Përveç nxënësve, te psikologu ka raste kur edhe mësimdhënësit drejtohen për konsultime, megjithëse këto janë më të rralla.

“Jemi shumë të lumtur që tash e dy vjet në shkollë e kemi psikologun. Në fillim nuk mund të themi se është pritur më së miri, por me kalimin e kohës edhe vet nxënësit e kanë parë rëndësinë e prezencës së tij. Madje edhe mësimdhënësit herë pas here kanë nisur që t’i drejtohen atij për konsultime pedagogjike”, thotë drejtoresha e shkollës Xhevrie Osmani.

Psikologu Bregovina ka një apel të veçantë për prindërit: të flasin me fëmijët për gjendjen e tyre emocionale dhe së bashku me ta të kërkojnë ndihmë profesionale.