SOT

Recetë tradicionale e përgatitjes se reçelit të ftonjve

Të gjithë e njohin si të zonjën, Raza Demollin, e cila është një punëtore. Gjendet sa në punët bujqësore, po aq edhe në treg, duke shitur produkte vendore.

Vjeshta zakonisht e gjen atë duke përgatitur reçele. E kush më mirë se ajo i përgatit ato. Ftonjtë i merr të freskët nga bahçja.

Larja, qërimi dhe grirja e tyre, për zonjën Raza, kanë rëndësi. E gjithë procedura më pas është më e lehtë. 

“Pasi është sezoni i vjeshtës dhe ftoi është në pjekje, dëshiroj ta përgatis reçelin në mënyrë tradicionale, ashtu siç e kanë përgatitur nënat e gjyshet tona. Ftonjtë unë i marr në fshatin Gllogovicë. Së pari, frutat i pastron me ujë, i qëron dhe i grin në copëza të imëta, sipas dëshirës. Pastaj është e gatshme për zierje. Gjatë grirjes duhet që ftonjtë të vendosen në ujë. Mund ta shtojmë edhe limonin, por kësaj radhe unë nuk po e përdor. Pasi që mbaron grirja e ftoit, janë edhe disa procedura të tjera të zierjes së sherbetit dhe hedhja e ftonjve në sherbet”, thotë Demolli.

Tregon në detaje të gjithë procedurën se si bëhet reçeli i ftoit. Nga zierja e sherbetit deri te konservimi i reçelit në kavanoza. 

“Tash fillon edhe procedura e zierjes së sherbetit. Së pari, i hedhim 500 gramë sheqer, ftonjtë, ujin dhe fillojmë me përzierje. Përzierja duhet të bëhet deri të shkrihet sheqeri. Sherbeti derisa të vlojë zihet, 15 minuta më së shumti. Ndërsa ftonjtë zihen 40 minuta. Krejt në fund, ia hedh një vanilje sheqer për shkak të aromës dhe arra para se t’i konservoj. Sherbeti filloi vlimin, tash i marrim ftonjtë dhe i hedhim në sherbet. E lëmë deri të vlojë, pastaj ua largojmë shkumën dhe e presim të zihet 40 minuta. Pasi të zihen ftonjtë, në sherbet i hedhim arrat për dekor dhe i jep shije. Pasi u zie reçeli, fillojmë me mbushjen e kavanozave. Reçeli dhe kavanozi duhet të jenë të nxehtë. Dhe duhet ta vakuumohet. Ky kavanoz ka afat deri në 3 vjet”, tregon Demolli.

Jeton në Prishtinë, por pjesën më të madhe e kalon në fshatin Gllogovicë, ku ka mbjellë pemë dhe perime në një hektar tokë. 

Demolli, lloje të shumta të reçelit i shet në tregun mobil të kryeqytetit. Thotë se reçeli prej ftoit është më i kërkuari nga konsumatorët, të cilët mund të blejnë produkte vendore nga ajo. 

Tregon se shpeshherë ka mungesë të kavanozave me reçel, shkak i kërkesave të shumta nga blerësit. 
“Unë kam filluar të përgatis reçel kur kam qenë e vogël. Tash i kemi ftonj 20 fidanë. Pasi i kemi, nuk përtoj të përgatis. Reçeli kërkohet shumë edhe në treg. Qe 8 vjet punoj në tregun mobil në kryeqytet dhe reçelin e ftoit e kërkojnë shumë nga të gjitha reçelet e tjera, siç janë reçeli prej vidimit, kumbullës, domates, mollës e të gjitha llojet e reçelit”, thotë Demolli.

Të gjitha produktet ushqimore nga pak. Përveç reçeleve, ajo përgatit për familje dhe të tjerët edhe turshi e ajvar. 

Këto produkte vendore nga kjo depo që e ka në shtëpinë e saj, i vendos te tezga e saj, në të cilën tri herë në javë i shet produktet e saj vendore.