SOT

Rama dërgon linja urbane në Lipjan, e harron Besinë

Çdo mëngjes Fadil e Feim Osmani takohen së bashku. 

Pjesë e bisedës së tyre të përditshme është edhe shkuarja në qendër për të kryer ndonjë punë.

Ata në mungesë të ndonjë linje urbane që do të shkonte në fshatin Besi, detyrohen që transportin deri në fshatin Bardhosh ta organizojnë në mënyrë vetjake dhe prej aty të hipin në linjën ‘3’ e cila nuk shkon në fshatin e tyre.

Mirëpo, kjo gjë nuk e ka penguar Komunën e Prishtinës, që një linjë urbane ta dërgojë në fshatin Janjevë të Lipjanit, por jo edhe në Besi.

Sipas Fadilit, mungesa e linjës urbane po i ua vështirëson jetën.

“Komuna e Prishtinës e ka pasur linjën e autobusëve deri në fshatin Lupq, para luftës. Tash u ndërpre kjo linjë. Autobusët e Podujevës po vijnë deri këtu por ka shumë ngarkesa. Nxënësit dhe çmimi i biletave është i shtrenjtë, 80 cent kushton bileta në një segment të shkurtë. Po kërkoj që ta lëshojnë autobusin urban prapë, tanimë edhe rruga që është duke u shtruar nuk kanë lënë dalje e as stacion do të jetë problematike shumë kjo çështje dhe e rrezikshme”, tregon Fadili.

Tutje ai thotë që linjat ndërurbane që vijnë nga Podujeva janë të stërmbushura dhe përveç kësaj edhe çmimi i biletave është i madh.

“Kemi problem me udhëtim, unë posedoj makinë, shkoj me të deri në Bardhosh mandej e përdori linjën urbane për të udhëtuar për në qendër. Ata e kemi falas biletën sepse jam pensionist. Mirëpo, unë nuk kam mundësi që t’i shfrytëzoj parkingjet në qendër për ta përdorur makinën time sepse janë shumë të shtrenjta”, thotë Fadili.

Kryetari i bashkisë në Besi, Feim Osmani thotë që nuk mund të arsyetohet dërgimi i linjës në Janjevë kur shumë fshatra dhe lagje të Prishtinës, nuk e kanë një të tillë.

“Kam provuar disa herë që të debatojë dhe të bëjë kërkesa, asgjë nuk ka konkrete kam dëgjuar për linjën që do të dërgohet në Janjevë e që po e kalon komunën e Prishtinës dhe kësisoj privohet edhe kjo pjesë e kryeqyteti. E që i takon kryetarit dhe drejtorëve që t’ua sigurojnë transportin qytetarëve, kjo po bëhet çështje shumë problematike. Sigurisht edhe për kategori të ndryshme të shoqërisë që jetojnë në këtë pjesë”, deklaron Osmani.

Shqetësimi i tij, qëndron për studentët dhe pensionistët të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, për të bërë zgjidhje të tilla.

“Në mëngjes për ata që duhet ta arrijnë orarin e punës, autobusët që vijnë nga Podujeva janë të stërngarkuar kësisoj udhëtarët nga këtu nuk po kanë mundësi të futen. Secilën herë ka probleme të tilla për banorët e fshatit Tenezhdoll, Vranidoll, Besi, Prugovc dhe Barilevë e po ashtu edhe për Lebanë dhe Trudë sepse autobusët janë të ngarkuar. Unë nuk e besoj që komuna do të bëjë këtë zgjidhje për neve deri në fund të këtij mandati”, thekson Osmani.

Kryetari Përparim Rama në anën tjetër thotë se tani me riorganizimin e linjave urbane edhe me operatorët privatë, do të bëhet zgjidhje edhe për këto fshatra.

“Nuk është e vërtetë që ata banorë po i lejmë anash. Mirëpo ne po iu shërbejmë edhe atyre, me këto kontratat e reja me transportuesit privatë e po ashtu edhe me linjat e reja që do t’i sjellim bashkë me BERZH-in. Linjat e reja nuk kanë qenë kurrë ne po i bëjmë sepse sektori privat nuk e ka pasur mundësinë financiare. Tash ne do t’i paguajmë për kilometër dhe kryeqyteti me kartelën digjitale i merr të hollat prej biletave dhe në këtë mënyrë nuk ka arsye asnjë kompani private të mos shkoj në këto pika, që nga 1 janari”, thotë Rama.

Qeverisja Rama ka kohë që ka premtuar mbërritjen e shpejtë të flotës së re të autobusëve, gjë që nuk ka ndodhur ende.