SOT

Qylaga, fshati model i zhvillimit dhe mirëqenies në Kosovë

9 kilometra larg Lipjanit ndodhet Qylaga, fshati model ku infrastruktura dhe cilësia e jetesës janë të avancuara. 

Qylaga është bërë një shembull i modernitetit. Fshati ka arritur të zgjidhë problemet e zakonshme që shpesh hasen në zona më të zhvilluara, si infrastruktura rrugore dhe ndriçimi publik. 

Banorët e fshatit shprehen të kënaqur me jetën e tyre dhe nuk e mendojnë mundësinë për të jetuar në qytet, pasi ata janë shumë të lidhur me vendlindjen e tyre. 

Të jetuarit në Qylagë u ofron atyre një cilësi të lartë jete, me rrugë të asfaltuara, transport të qasshëm, shtëpi të rregulluara, zona të gjelbëruara dhe një ambient të pastër dhe të sigurt. Ndërsa arsimimi është një tjetër aspekt që banorët e fshatit Qylagë e vlerësojnë si prioritet. 

Një fakt, interesant është se shumica e banorëve të fshatit kanë mbiemrin Bytyçi, dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre kanë vendosur të ndryshojnë mbiemrin. 

Nuredin Bytyçi, një banor i fshatit, shprehet se Qylaga është kaq e zhvilluar dhe e bukur, saqë nuk do ta ndërronte as me shtete sikur Zvicra, duke i dhënë kështu një dimension të ri dhe të rëndësishëm jetës rurale në Kosovë.

“Këtu banoj. Këtu kanë jetuar babë e babagjysh, nuk e ndërroj me qytet. Infrastruktura që është krijuar është më e mirë se në qytet. Unë jam i kënaqur me fqinjësi, rinia është perfekt. Mundësia është  për të jetuar në qytet, por këtu më fle shpirti. Qyteti nuk ka rëndësi për mua, jam shumë i kënaqur me jetesën këtu.  Kam shëtitur në Evropë, në Gjermani, Zvicër, Francë, mirëpo si vendlindja ime, si ky fshat nuk ka, pa marrë parasysh ku të shkosh. Nuk e ndërroj as me Zvicër, as me asnjë vend tjetër”, thekson ai. 

Sipas kryetarit të fshatit, Gëzim Bytyçi, fshati Qylagë ka katër lagje, 230 shtëpi dhe një popullsi prej 700 banorësh. 

“Fshati Qylagë si shumica e fshatrave të Kosovës ka qenë i shkatërruar nga lufta. Me vullnet dhe vetëkontribut ky fshat u ndërtua dhe sot janë diku 230 shtëpi, me 700 banorë. Qylaga është një fshat për lakmi, vend i qetë, asnjëherë nuk ka pasur ngatërresa, sepse arsimimi ka qenë prioritet në këtë vend. Shumica janë të shkolluar”, thotë Bytyçi.

Shton se disa kushte të tilla, si ndriçimi publik dhe infrastruktura e përmirësuar, janë më të avancuara në fshatin e tij sesa në kryeqytetin Prishtinë, duke ia dhënë kështu Qylagës një shembull të shkëlqyer të zhvillimit të qëndrueshëm dhe menaxhimit të suksesshëm të burimeve. 

“Infrastruktura në fshat mbi 90% është e përfunduar. Nuk jemi për t’i marrë lakmi një qyteti, pasi që fshati i posedon të gjitha kushtet që i ka edhe një qytet. Edhe banorët këtu hezitojnë që të shkojnë diku tjetër për të jetuar. Rrugicat janë të asfaltuara, ndriçimi publik është 100% i përfunduar, ujërat e zeza po ashtu. Ndriçimi publik dhe shumë kushte të tjera që i ka fshati them se i mungojnë Prishtinës”, deklaron Bytyçi. 

Në fshat ndodhet edhe një breg, që kohë më parë është shfrytëzuar nga banorët për aktivitete sportive. 

“Këtu gjendemi te bregu i fshatit. Çdo banor këtu ka kujtime të mira për ketë vend, e sidomos gjatë dimrit. Rreth 200 fëmijë kanë luajtur  basketboll, futboll e lojëra të tjera. Kjo ka qenë fushë e futbollit në atë kohë. Gjithçka ka pasur shije. Sot fshati ka dy fusha të futbollit, ka fëmijë, por nuk ka kënaqësi si në ato kohëra”, thotë Bytyçi.  

Mullinjtë, kroi dhe kodrat e fshatit Qylagë ia shtojnë edhe më shumë bukurinë këtij vendi, duke krijuar një peizazh natyror dhe tërheqës që e bën atë të veçantë.

“Ky mulli mendohet të jetë 200 vjet i vjetër. Pronar ka qenë Hamzë Bytyçi. Mulliri ka shërbyer për nevoja të banorëve të fshatit dhe përreth. Është i ndërtuar nga gurët dhe balta. Pronari i këtij mulliri gjithë jetën ia ka kushtuar këtij mulliri, kësaj pune. Fshati posedon edhe tre mullinj të tjerë, ky është më i ruajtur”, thekson Bytyçi.

Pak kilometra larg mullirit 200-vjeçar, ndodhet "Kodra e Dashurisë", një vend me një histori romantike dhe simbolike për banorët e fshatit Qylagë. 

Sipas Bytyçit, në këtë kodër janë takuar dhe njohur me njëri-tjetrin shumë çifte të reja, duke e bërë atë një pjesë të paharrueshme të historisë dhe traditës lokale, një vend që simbolizon dashurinë dhe fillimet e reja të jetës.

Për kryetarin, "Kodra e Dashurisë" ka një vlerë personale, pasi ai gjithashtu ka njohur gruan e tij në këtë vend. 

“Kjo është kodra ‘Kërçevë’, e fshatit Qylagë. Tash në këtë kodër është duke u ndërtuar një zonë turistike. Ky vend ka edhe kujtime, gjatë viteve  ‘90 janë zhvilluar aktivitete të shumta, ka pasur programe muzikore, tubime. Ka pasur edhe takime, njoftime, ku unë personalisht gruan time e kam njohur për herë të parë këtu, në këtë kodër. Prej viteve ‘90 njihet si Kroi i Dashurisë. Këtu jemi pranë kroit të fshatit, i cili është ndërtuar në vitin 1981 me vetëkontribut të fshatit. Ka qenë kroi model ku ka shërbyer për banorët e fshatit dhe për të tjerë”, tregon Bytyçi. 

Shaban Fazliu, një mësues i dedikuar, ka punuar për një dekadë në shkollën “Hajredin Bajrami” në fshatin Qylagë. Ai udhëton çdo ditë nga fshati Poturoc për të kontribuar në edukimin e gjeneratave të reja.  

Në shkollën e fshatit mësojnë rreth 70 nxënës, të cilët janë të ndarë në 10 paralele. 

“Kjo shkollë punon në dy turne. Shkolla ka 70 nxënës. Kjo shkollë ka sjellë kuadro të ngritura. Shumica e tyre kanë dalë me fakultet”, tregon Fazliu.

Bujqësia në fshatin Qylagë është gjithashtu një sektor i zhvilluar. Fshati është i njohur për aktivitete bujqësore që përfshijnë kultivimin e kulturave të ndryshme dhe blegtorinë, që janë burime të rëndësishme të të ardhurave për banorët.

Sipas banorëve të fshatit, zhvillimi i Qylagës është arritur falë dy faktorëve kryesorë: arsimimit të popullatës dhe kontributit të diasporës.