Deri në vitin 2018 secila palë punonte në anën e tyre. Por me një marrëveshje mes dy shteteve, Kosovë-Shqipëri, nga atëherë organet e rendit të dy shteteve ndajnë të njëjtin vend të punës.
Komandanti i pikës kufitare në Vërmicë, i cili iu bashkua Policisë së Kosovës në 2002 e nga 2005 është në shërbim në këtë pikë, thotë se marrëdhëniet me kolegët andej kufirit janë tejet të ngushta.
Sipas tij, që kur zyrtarët kufitarë kosovarë dhe ata shqiptarë u bënë bashkë, secila palë e kryen shërbimin në hyrje të shtetit të tyre.
Më herët nuk kishin mundësi që të krijojnë kontakte të tilla, por tani të gjitha gjërat i shfrytëzojnë së bashku.
Pos bashkëpunimit që kanë mes vete, zyrtarët thonë se kanë komunikim shumë të mirë edhe me qytetarët. Komandanti përmend periudhën e tërmetit të fuqishëm në 2019-tën në Shqipëri e që, sipas tij, ka qenë situata më e vështirë për të përjetuar.
Fluksi i kalimtarëve në sezonin veror është ngarkesa më e madhe e punës për ta, por së fundi po vërejnë interesim të shqiptarëve të Shqipërisë t’i kaluar pushimet dimërore në Kosovë.
Bartja e një uniforme të tillë për Telakun dhe kolegët e tij është më shumë se privilegj. Ai me krenari fton edhe të rinjtë tjerë që t’u bashkohen forcave të rendit në konkursin e fundit, që është ende i hapur nga Policia e Kosovës.
Pos zyrtarëve policor, në këtë pikë kufitare edhe doganat e dy vendeve funksionojnë së bashku kështu, duke ua lehtësuar edhe atyre punën që bëjnë atje.