SOT

Puna dhe përkushtimi i trashëguar në zanatin e automekanikut

Familja Vitia, e cila ushtron zanatin e automekanikut për më shumë se 20 vjet, është një shembull frymëzues për përkushtimin ndaj punës dhe bashkëpunimit familjar. Tre vëllezërit, Fatoni, Bekimi dhe Feti, kanë ndërtuar një traditë në këtë profesion, të cilën po e bartin edhe tek brezat e rinj të familjes.
Feti, vëllai më i vogël, e ka mësuar zanatin duke punuar në tri vende të ndryshme, para se në vitin 2006 ta bashkonte familjen në këtë profesion. Ai thotë se, pavarësisht vështirësive të fillimit, puna me vullnet dhe përkushtim ka sjellë sukses dhe qëndrueshmëri. 

“Unë e kam mësuar zanatin në servise, ku kam punuar në tri vende. Pastaj në vitin 2006 e kemi hapur servisin dhe kemi punuar me vëllezër dhe jemi duke punuar ende. Tash edhe fëmijët e vëllezërve punojnë me ne. Të gjithë jemi të kënaqur me këtë punë. Fillimi për me mësua zanatin ka qenë i vështirë, por gradualisht mësohesh me të. Vetëm me vullnet duhet me punua, mos me ju ndalë punës”, tha Feti Vitia. 

Bekimi, vëllai i mesëm, thotë se me këtë profesion e mban tërë familjen.

“Jemi tre vëllezër që punojmë në këtë servis. Gjithsej jemi pesë, por dy të tjerë kanë profesione të tjera. Edhe djemtë tonë kanë filluar të merren me këtë veprimtari. Është zanat i mirë dhe profitabil. Jemi të kënaqur me këtë punë dhe e duam familjarisht. Mendojmë me ecë përpara, duke e rritur këtë veprimtari. Në ora 8:30 të mëngjesit e fillojmë punën, i marrim secili detyrat që na takojnë. Çdo veturë që është për t’u rregulluar brenda ditës secili e merr përsipër detyrën dhe përgjegjësinë e asaj veture”, tha Bekim Vitia. 

Fatoni, vëllai më i madh, gjithashtu thekson rëndësinë e punës.

“Ua preferoj të gjithëve me punua këtë zanat, sepse është punë e mirë e profitabile, sidomos kush e punon me qejf është shumë punë e mirë. Vëllai na ka orientuar në këtë zanat dhe kem biseduar për ta hapur një servis të automekanikut, e kemi hapur dhe tash punojmë së bashku. Feti është kryesori dhe ne i ndihmojmë. Punojmë me dëshirë”, tha Faton Vitia.   

Në këtë traditë të suksesshme janë përfshirë edhe fëmijët e vëllezërve Vitia. Driloni, djali i Bekimit, është student në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe ka zgjedhur të fokusohet në programim dhe kodim të pjesëve elektronike të automjeteve. Ai thotë se praktika këtu i ka ndihmuar shumë për zhvillimin e aftësive të tij profesionale. 

“Fillimet e para të këtij zanati i kam marr këtu. Këtu punojmë me xhaxhallarët dhe djalin e xhaxhit. Tash jam në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Kam filluar me këtë zanat qysh i vogël, duke e parë babin dhe xhaxhallarët si po punojnë. Përparësia ime është sepse në fakultetin ku vijoj studimet mësoj për programime të ndryshme, kodime. Këtu çdokush rregullon diçka në pjesë të veturave, ndërsa unë merrna më shumë me programime dhe kodime. 4 ditë në javë kam studime dhe e koordinoj orarin e punës nëse jam paradite në fakultet, pasdite jam në punë dhe anasjelltas”, tha Drilon Vitia. 

Driloni thotë se ky zanat i siguron të ardhura të mira dhe nuk e sheh si opsion largimin jashtë shtetit për të kërkuar mundësi më të mira. 

“Përderisa jam fokusuar në këtë zanat nuk mendoj të dal jashtë shtetit për të punuar. Ne punojmë bashkë si familje. Nuk kemi nevojë për të ardhura më të mira, të ardhurat e mira i kemi këtu”, tha Vitia. 

Rinori, djali i Fatonit, është në fillimet e tij si mekanik dhe vazhdon mësimet në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë. Ai thekson rëndësinë e praktikës për zhvillimin e aftësive të tij dhe është i motivuar për të vazhduar këtë zanat.

“Këtë zanat e kam zgjedhur shkaku i babit dhe xhaxhallarëve që e kanë të njëjtin profesion. Inspirimin e kam marrë edhe nga djali i xhaxhit, Driloni. unë vijoj mësimet në shkollën “Shtjefën Gjeçovi”, në Prishtinë. Por praktika në servis më ndihmon shumë në profesionalizëm tutje. Edhe studimet mendoj t’i vazhdoj në këtë drejtim”, tha Rinor Vitia. 

Rrëfimi i familjes Vitia nga Hajvalia dëshmon se angazhimi dhe bashkëpunimi në familje janë çelësi i suksesit.